Sport

Kaq pranë Kombëtares nuk i kishim parë prej kohësh, Maran fton tifozët në stërvitje

Pas disa vitesh me dyer të mbyllura, tifozët shqiptarë do të kenë mundësinë të shohin nga afër përgatitjen e kuqezinjve. Një vendim që rikthen kujtimet e një kohe tjetër dhe krijon një urë më të drejtpërdrejtë mes Kombëtares dhe njerëzve që e mbështesin.

Ka vendime që në pamje të parë duken të vogla, por që për tifozët kanë një domethënie shumë më të madhe. Një prej tyre është ai i Rolando Maran, i cili ka vendosur të hapë dyert e Kombëtares shqiptare për publikun. Sot, në orën 16:00, në Shtëpinë e Futbollit, tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër një seancë stërvitore të kuqezinjve, në prag të përballjes vendimtare me Finlandën.

Për shumëkënd, kjo mund të jetë thjesht një stërvitje e zakonshme. Por për futbollin shqiptar është edhe rikthimi i një tradite që prej vitesh ishte zhdukur nga rutina e ekipit kombëtar. Dikur, në epokën e trajnerëve shqiptarë, dyert e stërvitjes ishin të hapura. Tifozët mund të afroheshin, të shihnin idhujt e tyre në fushë dhe të ndienin se ishin pjesë e përditshmërisë së Kombëtares. Ishte një kontakt i drejtpërdrejtë mes ekipit dhe publikut, një mënyrë për ta përjetuar fanellën kuqezi edhe përtej 90 minutave të ndeshjes.

Por kjo marrëdhënie ndryshoi me ardhjen e trajnerëve të huaj. Sidomos nga viti 2022, seancat stërvitore u kthyen kryesisht në ambiente të rezervuara për skuadrën. Një praktikë e lidhur me modelet perëndimore të punës, ku privatësia, përqendrimi i futbollistëve dhe përgatitja taktike konsiderohen elemente të rëndësishme të procesit.

Tashmë, Rolando Maran zgjedh të bëjë një hap drejt tifozëve. Nuk bëhet fjalë për një ndryshim të të gjithë filozofisë së punës, por për një gjest që tregon se profesionalizmi dhe afërsia me publikun nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Madje, momenti i zgjedhur e bën këtë vendim edhe më domethënës. Shqipëria është në prag të një sfide me shumë rëndësi ndaj Finlandës dhe mbështetja e tifozëve mund të shërbejë si një shtysë shtesë për skuadrën.

Sot, në orën 16:00, Shtëpia e Futbollit nuk do të jetë vetëm vendi ku kuqezinjtë përgatiten për ndeshjen e radhës. Për disa orë, ajo do të kthehet edhe në një hapësirë takimi mes Kombëtares dhe tifozëve të saj. Një derë që për shumë vite qëndroi e mbyllur, sot hapet sërish. Dhe ndonjëherë, për të fituar zemrat e tifozëve, nuk nevojitet një gol, por thjesht t’i lejosh të jenë më pranë skuadrës së tyre.

Nga Endi Tufa

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.