Përfundon lidhja e re rrugore në Podujevë, “Zahir Pajaziti” lidhet me magjistralen Podujevë–Prishtinë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar për përfundimin e një projekti infrastrukturor, përmes të cilit rruga “Zahir Pajaziti” lidhet me rrugën “Vëllezërit Frashëri” dhe magjistralen Podujevë–Prishtinë.
Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi ka bërë të ditur se kjo lidhje është realizuar përmes dy kyçjeve të reja, me synimin për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të zvogëluar ngarkesat në trafik.
“Kjo lidhje e re do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, do të zvogëlojë ngarkesat në trafik dhe do t’u kursejë kohë qytetarëve”, ka shkruar Bulliqi.
Ai ka bërë të ditur se projekti, përveç asfaltimit, përfshin edhe ndërtimin e shtigjeve për biçikleta dhe trotuareve për këmbësorë.
Sipas kryetarit të Podujevës, këto ndërhyrje synojnë të krijojnë kushte më të mira dhe më të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Po vazhdojmë me punë konkrete, duke përmirësuar dhe lidhur qytetin me projekte infrastrukturore”, ka përfunduar Bulliqi. /Telegrafi/





































