Ish-gjenerali Vladimir Qiriazi ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme për procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, duke rrëfyer përplasjet që kishte pasur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, lidhur me firmosjen e dokumentacionit për shitjen e pronës.

Qiriazi, i cili në vitet 2008-2009 mbante detyrën e komandantit të Mbështetjes Logjistike, deklaroi se kishte kundërshtuar vazhdimisht firmosjen e kontratës, pasi prona nuk ishte në administrim dhe nuk rezultonte në inventarin e strukturës që ai drejtonte.

Ai tregoi se ishte njohur me urdhrin e ministrit Gazmend Oketa në mars të vitit 2009, ndërsa pas verifikimeve vartësit e tij e kishin informuar se Komanda e Mbështetjes Logjistike nuk kishte asnjë lidhje me Sport Klub Partizanin.

Ish-gjenerali tha se kishte informuar për këtë situatë Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura dhe ministrin, ndërsa më pas kishte përballuar edhe kërkesat e një drejtorie kundër korrupsionit, e cila i kishte kërkuar shpjegime përse nuk firmoste kontratën e shitjes.

Në dëshminë e tij, Qiriazi zbuloi edhe një bisedë me ish-ministrin Oketa, të cilit i kishte kërkuar që dokumentacionin ta firmoste drejtori i kabinetit. Sipas tij, ministri i ishte përgjigjur se firmosja ishte detyrim dhe se edhe atij vetë ia kërkonin, pa i treguar se nga kush vinte kjo kërkesë.

“Ministri më tha vetë ta firmos, pasi i kërkohej edhe atij. Nuk e di se nga kush i kërkohej atij. Më telefonoi dhe më tha se duhet firmosur”, deklaroi Qiriazi.

Ai tregoi se, përballë presionit për të firmosur, kishte kërkuar kohë që fillimisht prona të kalonte në administrimin e strukturës që drejtonte dhe më pas të vendosej për kalimin e saj te shteti apo privati, sipas procedurave ligjore.

Qiriazi tha se kishte kërkuar edhe një azhornim të sipërfaqes nga Drejtoria e Topografisë, ku rezultonte një sipërfaqe prej rreth 34 mijë metrash katrorë, nga e cila rreth 4 mijë metra katrorë ishin hequr.

Ish-gjenerali rrëfeu gjithashtu se, për shkak të situatës, kishte kërkuar një takim me Presidentin e atëhershëm, Bamir Topi. Pas prezantimit të problematikës, sipas tij, Topi i kishte dhënë porosinë: “Zbato ligjin”.

“Edhe unë atë bëra. Unë nuk e kam firmosur këtë pronë. Edhe sot urdhri më duket alogjik. Unë nuk mund të firmos për një pronë të cilën nuk e zotëroj”, u shpreh Qiriazi.

Gjatë dëshmisë, ai sqaroi edhe largimin nga Komanda e Mbështetjes Logjistike, duke thënë se nuk e lidhte transferimin me kundërshtitë për privatizimin, por me detyrën e re që kishte marrë, e cila, sipas tij, ishte më e lartë nga pikëpamja hierarkike.

Qiriazi deklaroi se në vitin 2011 ishte larguar me dekret të Presidentit, vendim të cilin e kishte kundërshtuar në gjykatë dhe kishte fituar në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Ai theksoi se lirimi nga detyra ishte bërë me propozim të Shefit të Shtabit, Xhemal Gjunkshi, dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ndërsa dekreti ishte firmosur nga Presidenti Bamir Topi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb