Opozita është larguar nga mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, pasi nuk u dakordësua me mazhorancën për ndryshimin e rendit të ditës.
Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi, në emër të PD-së, ka kërkuar që reforma të diskutohet tek adresimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Me argumentin se mbledhja nuk mund të vazhdojë pa rend dite të dakordësuar, ata kanë vendosur të largohen përsëri ndonëse u futën në sallë pasi kishin bojktouar mbledhjen për 30 minuta.
“Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027″, tha Bylykbashi.
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha sot se procesi i reformës po vonohet dhe rrezikon të mos përmbushë objektivat brenda afatit të përcaktuar për shkak të mungesës së konsensusit nga ana e opozitës. Gjiknuri tha se opozita kishte marrë përsipër të paraqiste propozime për ndarjen e shtetit nga pushteti, por sipas tij, këto propozime nuk janë konkretizuar.
“Opozita nuk ka ardhur me një propozim, çfarë kufizimesh të tjera kërkohen përsa i përket ndarjes së shtetit nga pushteti”, deklaroi Gjiknuri.