E hënë, 9 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 60 minuta më parë
Bota

Betejë për vilën 6 milionë paund, pas 45 vitesh së bashku, të moshuarit përballen në gjyq

Një biznesmen 88-vjeçar, pronar i një kompanie demolimi në Britani, është përfshirë në një betejë ligjore me ish-partneren e tij, nënën e tre fëmijëve, për pronësinë e një vile luksoze me vlerë 6 milionë paund. Dennis Read dhe Coral Read, të cilët nuk kanë qenë kurrë të martuar, kanë jetuar së bashku për 45 vite, përpara se të ndaheshin në vitin 2020. Gruaja pretendon se ai i kishte premtuar vazhdimisht se do të kujdesej për të gjatë gjithë jetës dhe se shtëpia do të ishte e saj.

Coral kërkon gjysmën e pronës, e cila ndodhet pranë Cobham në Surrey dhe ka pesë dhoma gjumi, katër banja, dy pishina dhe disa ndërtesa të tjera. Ajo pretendon se, bazuar në premtimet e ish-partnerit, hoqi dorë nga karriera e saj për t’iu përkushtuar familjes dhe shtëpisë, duke organizuar rikonstruksione dhe duke kontribuar në përmirësimin e pronës. Përmes avokatit të saj, ajo pretendon se Dennis i kishte thënë se shtëpia ishte e të dyve dhe se një ditë do ta trashëgonte.

Përveç pretendimit për pronësinë e vilës, Coral ka ngritur edhe një padi prej 215 mijë paundësh për dëme personale, duke pretenduar se gjatë marrëdhënies 45-vjeçare ishte përballur me abuzim fizik, verbal dhe kontroll shtrëngues. Dennis i mohon të gjitha këto akuza. Nga ana tjetër, ai ka ngritur një padi kundër ish-partneres, duke kërkuar kthimin e 876 mijë paundëve, të cilat pretendon se ia kishte dhënë hua për t’ia kaluar djalit të tyre Ashley, në mënyrë që ky i fundit të shlyente kreditë hipotekore të pronës së tij.

Coral mohon se ka nënshkruar një marrëveshje huaje dhe pretendon se shuma ishte një dhuratë për djalin e tyre. Ndërkohë, avokati i Dennis ka kundërshtuar pretendimin për bashkëpronësi, duke argumentuar se vila ishte blerë përpara se çifti të niste marrëdhënien dhe se kontributet e Coral në mirëmbajtjen, mobilimin dhe rikonstruksionin e saj nuk përbëjnë prova për një marrëveshje pronësie të përbashkët. Ai ka shtuar se gjatë viteve gruaja ka përfituar banesë, mbështetje financiare, arsim privat për fëmijët dhe sigurim shëndetësor.

Reklamë

Çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë në Londër, por seanca është shtyrë pas një dëgjimi gjysmëditor, në pritje të një ekzaminimi mjekësor për 88-vjeçarin, për të përcaktuar nëse gjendja e tij shëndetësore i lejon të dëshmojë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të palëve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.