Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, ka njoftuar largimin nga përfaqësuesja kuqezi pas nëntë vitesh, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.

Përmes një mesazhi emocionues, Balliu ka falënderuar të gjithë bashkëlojtarët, trajnerët, stafin dhe tifozët shqiptarë për mbështetjen gjatë këtij rrugëtimi.

“Nëntë vite më parë, nisa një rrugëtim që do të kthehej në një nga kapitujt më domethënës të jetës sime. Sot, duke parë pas, kuptoj se sa shumë më ka dhënë kjo fanellë.

Nëntë vite emocionesh, sakrificash, miqësish dhe kujtimesh të paharrueshme. Kombëtarja u bë familja ime e dytë dhe përfaqësimi i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një nga nderet më të mëdha të karrierës sime. Pjesëmarrja në EURO 2024 do të mbetet përgjithmonë një nga momentet për të cilat ndihem më krenar.

Një falënderim i përzemërt për të gjithë shokët e skuadrës, trajnerët dhe stafin që ndanë këtë rrugëtim me mua. Dhe për tifozët tanë të jashtëzakonshëm, faleminderit për dashurinë, pasionin dhe mbështetjen tuaj të pakushtëzuar. Ju e bëtë çdo moment edhe më të veçantë.

Largohem me zemrën plot mirënjohje dhe krenari, duke e ditur se një pjesë e imja do t’i përkasë gjithmonë kësaj familjeje.

Nëntë vite në zemrën time. Një privilegj për gjithë jetën.

Faleminderit, Shqipëri! Faleminderit, Armand Duka !Përjetë Kuqezi!”.

Futbollisti kujton me krenari nëntë vitet e kaluara me fanellën kuqezi, ndërsa një vend të veçantë në kujtimet e tij zë pjesëmarrja në Kampionatin Europian EURO 2024.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb