Rreth 450 deri në 500 mijë qytetarë në të gjithë vendin përdorin transportin publik, por kostoja e këtij shërbimi dhe barra fiskale mbi operatorët rrezikojnë të bëhen edhe më të rënda.
Kështu është shprehur Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në letrën e drejtuar Kuvendit me një paketë kërkesash për lehtësira fiskale, në kuadër të diskutimeve për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2027.
Operatorët kundërshtojnë rritjen e propozuar të TVSH-së nga 20 në 21% dhe kërkojnë që transporti publik të përfitojë një normë të reduktuar prej 6% duke e konsideruar atë shërbim bazë për familjet.
“Në mungesë të një norme të reduktuar për transportin publik, kjo masë mund të ushtrojë presion mbi çmimin e biletës ditore dhe të abonimit mujor, duke prekur qytetarët, studentët, pensionistët dhe shtresat në nevojë. Duke marrë parasysh rritjen e kostove të karburantit dhe të shpenzimeve të jetesës, Shoqata vlerëson se çdo rritje shtesë e barrës fiskale mbi transportin publik duhet të analizohet në raport me ndikimin te qytetarët dhe aftësinë financiare të operatorëve.” shkruhet në letrën e shoqatës.
Përveç uljes së TVSH-së, shoqata kërkon përjashtimin e autobusëve të licencuar nga taksa e re vjetore e qarkullimit si dhe përjashtimin nga akciza të karburantit të përdorur për transportin publik ose krijimin e një skeme rimbursimi.
Argumenti i operatorëve është se ndërsa kostot e karburantit, pagave dhe mirëmbajtjes rriten ata nuk mund të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme çmimin e biletës dhe abonimit. Për këtë arsye kërkojnë nga Kuvendi një seancë dëgjimore dhe analizë të posaçme të efekteve që paketa fiskale e vitit të ardhshëm mund të ketë mbi sektorin dhe qytetarët.
Top Channel