Ish-gjenerali Vladimir Qiriazi ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme në lidhje me procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, duke rrëfyer presionet dhe kundërshtitë që kishte pasur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, për firmosjen e dokumentacionit të pronës.
Qiriazi, i cili gjatë viteve 2008-2009 mbante detyrën e komandantit të Mbështetjes Logjistike, deklaroi se kishte kundërshtuar vazhdimisht firmosjen e kontratës, pasi prona nuk ishte në administrim të strukturës që ai drejtonte dhe nuk figuronte në inventarin e saj.
Ai tregoi se ishte njohur me urdhrin e ministrit Oketa në mars të vitit 2009. Pas verifikimeve, vartësit e tij e kishin informuar se Komanda e Mbështetjes Logjistike nuk kishte asnjë lidhje me Sport Klub Partizanin.
Për këtë situatë, sipas dëshmisë, ai kishte vënë në dijeni Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura dhe ministrin e Mbrojtjes.
Ish-gjenerali rrëfeu edhe një bisedë telefonike me Oketën, i cili i kishte kërkuar të firmoste dokumentacionin. Qiriazi tha se i kishte sugjeruar ministrit që firmën ta vendoste drejtori i kabinetit, por kishte marrë përgjigjen se firmosja ishte detyrim dhe se edhe vetë ministrit po ia kërkonin.
“Ministri më tha vetë ta firmos, pasi i kërkohej edhe atij. Nuk e di se nga kush i kërkohej atij. Më telefonoi dhe më tha se duhet firmosur”, deklaroi Qiriazi në gjykatë.
Përballë këmbënguljes për firmosjen e dokumenteve, ai tha se kishte kërkuar kohë që prona të kalonte fillimisht në administrimin e strukturës që drejtonte dhe më pas të vendosej për transferimin e saj te shteti apo privati, në përputhje me procedurat ligjore.
Ai kishte kërkuar gjithashtu një azhornim të sipërfaqes nga Drejtoria e Topografisë, ku rezultonte një sipërfaqe prej rreth 34 mijë metrash katrorë, nga e cila rreth 4 mijë metra katrorë ishin hequr.
Qiriazi tregoi se, për shkak të problematikës, kishte kërkuar edhe një takim me Presidentin e atëhershëm, Bamir Topi. Pasi i kishte shpjeguar situatën, sipas tij, Topi i kishte dhënë porosinë e qartë: “Zbato ligjin”.
“Edhe unë atë bëra. Unë nuk e kam firmosur këtë pronë. Edhe sot urdhri më duket alogjik. Unë nuk mund të firmos për një pronë të cilën nuk e zotëroj”, u shpreh ish-gjenerali.
Gjatë dëshmisë, ai foli edhe për largimin nga Komanda e Mbështetjes Logjistike, duke deklaruar se nuk e lidhte transferimin me kundërshtitë për privatizimin, por me marrjen e një detyre tjetër, të cilën e konsideronte më të lartë në hierarkinë ushtarake.
Qiriazi bëri të ditur se në vitin 2011 ishte liruar nga detyra me dekret presidencial, vendim të cilin e kishte kundërshtuar në gjykatë dhe kishte fituar në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Sipas tij, lirimi ishte bërë me propozim të Shefit të Shtabit, Xhemal Gjunkshi, dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ndërsa dekreti ishte firmosur nga Presidenti Bamir Topi.