Presidenti Bajram Begaj dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, pritën në Pallatin Quirinale në Romë kryetarët e komunave arbëreshe në Itali. Begaj vlerësoi rolin e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar për më shumë se pesë shekuj, duke i cilësuar si një urë lidhëse mes dy vendeve.
“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh Begaj.
Presidenti falënderoi Mattarellën për mbështetjen e Italisë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa u ndal edhe te shqiptarët që jetojnë sot në Itali.
“Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve”, theksoi ai.
Begaj u bëri thirrje drejtuesve të komunave arbëreshe të përcjellin gjuhën, kulturën dhe traditat te brezat e rinj, me mesazhin: “Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë!”
Në fund të takimit, dy presidentët shkëmbyen dekorata në shenjë vlerësimi të ndërsjellë.
Presidenti Sergio Mattarella përshëndeti në gjuhën shqipe kryetarët e komunave arbëreshe në Itali. I pranishëm në këtë takim ishte edhe presidenti Bajram Begaj.
“Mirëmëngjes, dhe ju lutem më falni për shqiptimin tim”, tha Mattarella.
Ndërkohë Begaj vlerësoi lidhjet historike dhe vëllazërore mes dy popujve, duke e cilësuar komunitetin arbëresh si dëshmi të gjallë të miqësisë shqiptaro-italiane.







Komente
Komento