Prokuroria e Milanos ka zgjeruar hetimet për kërcënimet me email për vendosjen e bombave në avionë, duke shtuar edhe akuzën e intimidimit publik, krahas asaj të alarmit të rremë.
Sipas mediave italiane, mesazhet kërcënuese kanë përfshirë aeroportet Malpensa dhe Linate. Në Malpensa janë raportuar kërcënime ndaj katër fluturimeve, dy në nisje dhe dy në mbërritje, ndërsa në aeroportin Linate është dërguar një email kërcënues pa iu referuar një fluturimi konkret.
Për rastet në Malpensa po heton Prokuroria e Busto Arsizio, në provincën e Vareses, ndërsa çështja që lidhet me Linate është nën hetimin e Prokurorisë së Milanos, e drejtuar nga Marcello Viola. Dosja i është besuar prokurorit Enrico Pavone, pjesë e grupit kundër terrorizmit.
Në hetime janë angazhuar edhe Policia Postare dhe Digos, njësia e policisë italiane që merret me çështjet e terrorizmit dhe sigurisë së brendshme.
Akuza e intimidimit publik parashikon ndëshkimin e personave që kërcënojnë me kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, me qëllim përhapjen e frikës dhe shqetësimit te qytetarët.
Duke qenë se raste të ngjashme janë regjistruar edhe në zona të tjera të Italisë, hetimet po koordinohen nga Drejtoria Kombëtare Antimafia dhe Kundër Terrorizmit. Në hetimin më të gjerë për sulmet kibernetike është përfshirë edhe Europol.
Autoritetet italiane po verifikojnë nëse kërcënimet janë pjesë e një veprimtarie të organizuar dhe synojnë të identifikojnë personat përgjegjës për dërgimin e mesazheve.
Deri më tani, kontrollet e kryera pas alarmeve nuk kanë zbuluar praninë e ndonjë mjeti shpërthyes.

