Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën e 39 deputetëve të Kuvendit, të cilët kërkuan shfuqizimin e dispozitave të dy dekreteve që lidhen me ministren virtuale “Diella”.
Me vendimin e marrë më 8 tetor 2026 dhe të shpallur më 9 nëntor 2026, Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e kërkesës, duke mos pranuar pretendimet e deputetëve.
Në vendimin përfundimtar, Gjykata arsyeton se dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ dhe se çështja nuk përfshihet në kompetencën e saj për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së akteve.
Gjykata sqaron se “Diella”, pavarësisht emërtimit si ministre, nuk është funksionare e një organi kushtetues, por një platformë e inteligjencës artificiale, e krijuar për të lehtësuar përpunimin e të dhënave në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve, me synim parandalimin e veprimeve të paligjshme.
Sipas vendimit, platforma nuk është person fizik, nuk ka zotësi juridike të pavarur dhe nuk përmbush karakteristikat e një ministrie si person juridik. Për rrjedhojë, ndaj saj nuk zbatohen kriteret kushtetuese për zgjedhjen apo emërimin e ministrave.
Megjithatë, Gjykata thekson se përdorimi i inteligjencës artificiale në veprimtarinë publike nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave. Ajo nënvizon se inteligjenca artificiale mund të përdoret vetëm si instrument në ushtrimin e kompetencave që ekzistojnë paraprakisht në rendin juridik, ndërsa përgjegjësia dhe llogaridhënia mbeten te organet dhe funksionarët shtetërorë.
Gjykata vëren gjithashtu se përdorimi i këtyre sistemeve duhet të mbështetet në një kuadër të qartë ligjor, duke garantuar mbrojtjen e të dhënave personale, sigurinë, mosdiskriminimin dhe mbikëqyrjen njerëzore.
Në përfundim, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare











