Arlind Qori nuk e njeh Sali Berishën si opozitar dhe nuk pranon të ulet në të njëjtën tryezë politike me të. Kreu i Lëvizjes Bashkë e akuzoi sot PD-në se bashkëqeveris me Edi Ramën dhe e përjashtoi çdo marrëveshje me dy partitë e mëdha, edhe nëse ato ndryshojnë drejtuesit.
Në një intervistë sot në Report TV, Qori e bëri të qartë se synon të garojë sërish për Bashkinë e Tiranës, por këtë herë ka vendosur edhe një kusht për veten: nëse dështon në zgjedhje, do të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë.
Për Qorin, ftesa e Berishës për bashkimin e opozitës nuk ndryshon asgjë. Ai këmbëngul se PD-ja nuk është alternativë ndaj qeverisë, por pjesë e sistemit që, sipas tij, mban në këmbë pushtetin e Ramës.
“Lëvizja Bashkë kurrë nuk bashkëpunon me Edi Ramën dhe PS-në dhe Sali Berishën dhe PD-në. Nuk do të bashkëpunonim me këto dy parti edhe sikur të mos ishin këta dy personazhe, sepse i kanë tjetërsuar aq shumë partitë e tyre sa do t'i kontrollonin edhe nga varri. Pyetja juaj ka sens vetëm nëse partia e Berishës konsiderohet opozitare. Unë e konsideroj parti bashkëqeverisëse me Ramën. PS dhe PD janë bashkë te korrupsioni, u shërbejnë të njëjtëve oligarkë”, deklaroi Qori.
Ai e akuzoi Berishën për 'maskarallëk dhe shantazh moral'.
“Ky është maskarallëk moral. Është politikë imorale që bazohet te gënjeshtra dhe korrupsioni. E refuzoj këtë politikë. Berisha kur më akuzon mua është i vetëdijshëm që akuzat nuk janë të vërteta. Berisha është i korruptuar por nuk është hajvan. Ai e di që nga goja nxjerr gënjeshtra duke bërë shantazh moral. Përgjigja ime për Berishën është: Kurrë, kurrë kurrë! As me Berishën e as me Ramën. Rruga jonë është e të drejtës morale që do bashkojë shumicën e shoqërisë në të ardhmen. Sali Berisha është një figurë e diskredituar politike që e ka vendin në burg, jo në politikë. ” tha Qori.
Qori foli edhe për protestat, duke theksuar se Lëvizja Bashkë është pjesë e tyre, por nuk i drejton 'fijet' e saj.
"Lëvizja Bashkë është në protestë, por nuk është protesta e Lëvizjes Bashkë. Ndonëse ne me maksimumin e përpjekjeve tona përpiqemi ta ndihmojmë protestën, ne jemi një rrëke e vogël që i bashkohet lumit të madh të protestës”, u shpreh Qori.
Sa u përket zgjedhjeve vendore, kreu i Lëvizjes Bashkë tha se partia synon të dalë me kandidatët e saj për këshillat bashkiakë dhe bashkitë.
“Në rast se nuk arrihet objektivi i parë, që është rrëzimi i qeverisë para zgjedhjeve dhe hyrja në një proces zgjedhor parlamentar të parakohshëm, me një qeveri jopartiake dhe ndryshime kushtetuese që duhen, atëherë unë, po, nëse nuk realizohet objektivi i parë, do të jem kandidat i Lëvizjes Bashkë”, deklaroi ai.
Për herë të parë në këtë intervistë, Qori vendosi edhe një kufi të qartë për qëndrimin e tij në krye të partisë. Ai tha se nuk do të rikandidojë për kryetar në vitin 2029, pavarësisht rezultatit, ndërsa në rast dështimi zgjedhor do të largohet menjëherë.
“Unë si kryetar i Lëvizjes Bashkë po marr për së dyti një përgjegjësi të madhe për të qenë kandidat për Tiranën. Është hera e dytë që unë si kryetar marr rriskun për të kandiduar në një garë maxhoritare. Ftesa ime për përfaqësuesit e partive të tjera politike është që të bashkëfuqizojnë protestën. Për ne, protesta ka përparësi” tha Arlind Qori. Do të jap menjëherë dorëheqjen nëse dështojmë në zgjedhje, sidomos në Tiranë ku do të jem kandidat. Nëse dështojmë, unë do ta afroj dorëheqjen dhe jo në 2029-ën. Unë do mbaj përgjegjësi edhe në rast suksesi jo më në rast dështimi. Ndonëse Lëvizja Bashkë u kthye në parti parlamentare, unë nuk rikandidoj në 2029 për kryetar. Nuk do jem kryetar i Lëvizjes cilido qoftë rezultati. Do jap menjëherë dorëheqjen nëse dështojmë në zgjedhje, sidomos në Tiranë ku do jem këtë kandidat. Nësë dështojmë unë do e afroj dorëheqjen dhe jo në 2029-ën” tha Qori.












Komente
Komento