Letonia dhe Estonia po intensifikojnë masat mbrojtëse përgjatë kufirit me Rusinë, përmes ndërtimit të fortifikimeve ushtarake, kanaleve antitank dhe bunkerëve prej betoni, në kuadër të strategjisë së përbashkët të vendeve baltike për sigurinë e kufijve lindorë.
Sipas televizionit publik letonez, në një segment prej 4 kilometrash të kufirit lindor të Letonisë kanë nisur punimet për hapjen e kanaleve antitank. Deri në fillim të vitit të ardhshëm pritet të përfundojnë ndërhyrjet në 27 kilometra nga 89 kilometrat e planifikuar.
Përveç kanaleve, mbrojtja do të përforcohet me barriera betoni kundër mjeteve të blinduara, të njohura si “dhëmbët e dragoit”.
Përfaqësuesi i ushtrisë letoneze, Edgars Briedis, shpjegoi se qëllimi është krijimi i pengesave të ndryshme, të cilat do ta vështirësojnë përparimin e forcave kundërshtare. Sipas tij, kapërcimi i kanaleve antitank do të kërkonte mbushjen e tyre ose përdorimin e urave të posaçme ushtarake, ndërsa largimi i barrierave prej betoni do të kërkonte pajisje të tjera.
Ndërkohë, edhe Estonia po zgjeron rrjetin e fortifikimeve përgjatë kufirit lindor. Sipas transmetuesit publik ERR, bunkerët e parë prej betoni pranë qytetit kufitar të Narvës përfunduan në fund të tetorit. Strukturat janë projektuar për të mbrojtur ushtarët nga goditjet e drejtpërdrejta të artilerisë.
Strehime të tjera janë ndërtuar në verilindje dhe juglindje të vendit, të pajisura me energji elektrike dhe sisteme komunikimi. Paralelisht, autoritetet kanë vendosur edhe barriera betoni dhe pengesa antitank.
Përfaqësuesi i ushtrisë estoneze, Ainar Afanasjev, theksoi se vendi nuk ka shumë hapësirë territoriale për të fituar kohë në rast të një sulmi, ndaj përgatitjet po përqendrohen që në vijën kufitare.
Estonia synon të ndërtojë deri në 600 bunkerë në verilindje dhe juglindje të territorit të saj deri në fund të vitit 2027. Strehimet do të vendosen nën nivelin e tokës dhe do të kenë hyrje të izoluara. Deri tani, sipas raportimit, janë përfunduar 28 të tilla.
Këto ndërhyrje janë pjesë e projektit të përbashkët të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të njohur si “Linja e Mbrojtjes Baltike”, që synon forcimin e mbrojtjes përgjatë kufijve lindorë të tri vendeve.
Masat janë intensifikuar pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës, të cilën shtetet baltike e konsiderojnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre kombëtare.

