Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka kërkuar forcimin e masave për menaxhimin e trafikut në Tiranë, duke vënë theksin te lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve, veçanërisht në oraret e vajtjes në punë dhe në shkolla. Gjatë një inspektimi në zonën e “21 Dhjetorit”, një prej nyjeve më problematike të qarkullimit në kryeqytet, Demo u njoh me angazhimin e shtuar të Policisë Rrugore për të përballuar vështirësitë e krijuara nga dëmtimi i semaforëve, sinjalistikës dhe infrastrukturës urbane gjatë javëve të fundit.
Ministri theksoi se ndërhyrjet duhet të kenë në qendër qytetarët dhe nevojat e tyre të përditshme, duke shmangur vonesat e panevojshme dhe duke garantuar sigurinë në rrugë. “Qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç’është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi”, u shpreh Demo.
Një tjetër problematikë ku kërkohet ndërhyrje më e fortë është ajo e parkimeve dyshe dhe e shkeljeve të tjera që pengojnë lëvizjen e automjeteve. Sipas ministrit, Policia Rrugore duhet të ketë një vëmendje të shtuar ndaj këtyre rasteve, në mënyrë që rrugët të mos bllokohen dhe qytetarët të lëvizin pa pengesa.
Demo nënvizoi gjithashtu se shtimi i prezencës policore duhet të shoqërohet me rezultate konkrete dhe jo të mbetet vetëm një masë në terren. “Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, për sa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik”, deklaroi ministri.
Në këtë kuadër, strukturave të Policisë së Shtetit u është kërkuar të vijojnë angazhimin për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore. Një vlerësim i situatës pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme, për të parë nëse masat e ndërmarra kanë dhënë efektin e synuar dhe nëse do të nevojiten ndërhyrje të tjera për të përmirësuar qarkullimin në kryeqytet.
