Ministri Rashiç kërkon hapa drejt Asociacionit pas zhvillimeve politike në Serbi, Nagavci: Qëndrimi ynë nuk ndryshon

09/11/2026 17:02

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, konsideron se fitorja e Listës Studentore në Serbi mund të jetë shtysë për qeverinë e Kosovës të ndërmarrë hapa në drejtim të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në një intervistë për media në Kosovë, ai ka shtuar se në këtë moment “historik.., marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe”. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se qëndrimi i kësaj partie, por edhe i qeverisë mbetet i njëjti.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje por edhe i qeverisë është ai që ka qenë, është publik, është transparent dhe janë deklarata të vazhdueshme të kryeministrit lidhur me këtë çështje, kështu që, ne qëndrojmë në të njëjtin diskurs dhe qëndrim që kemi pasur edhe përpara”, shprehet Arbërie Nagavci, shefe e GP-së, Vetëvendosje.

Sa i përket një qasjeje tjetër në raport me Serbinë, pas fitores së Listës Studentore, Nagavci tha se nuk janë të qarta qëndrimet e fituesit të zgjedhjeve atje.

“Ndryshimet që kanë ndodhë në Serbi pas zgjedhjeve dhe fitorja e forcave të reja politike, natyrisht që është çështje e brendshme e Serbisë, por në raport me Kosovën është shumë herët të flitet sepse ne nuk e dimë se cilat janë saktësisht qëndrimet”, Arbërie Nagavci, shefe e GP-së, Vetëvendosje. 

Në vitin 2023, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova u dakordua për Marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit  për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përmes kësaj, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti zotohet për “të siguruar një nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri tha se nuk befasohet nga kjo temë, meqë Kosova ka dhënë zotim për formimin e Asociacionit.

“Qeveria e kaluar, e ka miratuar Marrëveshjen e Ohrit, në marrëveshje të Ohrit, specifikisht thuhet që të gjitha marrëveshjet e deri tanishme ndërkombëtare do të jenë të zbatueshme. Kjo marrëveshje është në ueb faqen e Bashkimit Evropian dhe unë nuk befasohem në raport me këtë temë”, Besnik Tahiri, shef i GP-së, Aleanca.

Qeveria e Kosovës për herë të fundit në vitin 2024 kishte nisur një letër zotim në drejtim të Këshillit të Evropës përmes së cilës zotohej të hartonte një draft-statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në këmbim të anëtarësimit në këtë organizatë. Franca dhe Gjermania kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me dërgimin e një drafti për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel