“Edhe sot, po të isha, nuk do ta kisha firmosur privatizimin e Partizanit. E firmosi ai që më zëvendësoi.”
Me këtë deklaratë u largua nga Gjykata e Posaçme ish gjenerali Vladimir Qirjazi, një prej dëshmitarëve të thirrur nga SPAK në procesin për dosjen “Partizani”, ku mes të pandehurve janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Në dëshminë e tij në GJKKO, ish-komandanti i Mbështetjes logjistike tregoi për kundërshtitë e ti për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, dhe përballjen që hasi me njerëz të qeverisjes së Berishës në atë kohë.
Qirjazi tha se kërkesat për firmosjen e dokumentacionit kishin vijuar edhe pse prona nuk ishte në administrim të komandës që drejtonte. Ish-gjenerali deklaroi se ministri Oketa i kishte kërkuar ta firmoste, duke i thënë se këtë gjë ia kërkonin edhe atij.
“Në periudhën 2008–2009 kam qenë komandant i Mbështetjes Logjistike. Në mars të vitit 2009 jam njohur me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili më kërkonte të firmosja për shitjen e klubit “Partizani”. Ne nuk kishim asnjë lidhje me klubin “Partizani”. Vura në dijeni për situatën si ministrin, ashtu edhe shefin e Shtabit.
Pas kontakteve me ministrin, erdhi një ekip nga Drejtoria e Antikorrupsionit. Më kërkuan të sqaroja pse nuk firmosja. Më kërkuan t’u dorëzoja të gjithë dokumentacionin dhe ua dorëzova me vulë.
Më erdhi një raport nga Drejtoria e Antikorrupsionit, që nuk kishte lidhje me atë që kërkonin. Në këtë raport, ministri rekomandonte që ndaj meje të merrej një masë disiplinore. Më erdhi edhe një raport i dytë. U thashë se ishte kopje e raportit të parë dhe se nuk e kishin lexuar pjesën ku thuhej se ne nuk kishim asnjë lidhje me pronën.
E pashë që situata nuk ishte e mirë dhe kërkova të takoja komandantin e përgjithshëm, Bamir Topin. Fillimisht nuk më pranoi në takim. I dërgova një shkresë dhe më pas më pranoi. Më tha të vijoja dhe të zbatoja ligjin.
Takova ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketën, dhe ai më kërkoi sërish të firmosja. Ministri më tha vetë ta firmos, pasi i kërkohej edhe atij. Nuk e di se nga kush i kërkohej atij. Më telefonoi e më tha, duhet firmosur. Unë nuk mund të firmos për një pronë të cilën nuk e zotëroj”, dëshmoi ai.
Qirjazi tha se kishte informuar për situatën e krijuar edhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndërsa kishte kërkuar takim me Presidentin e atëhershëm, Bamir Topi. Sipas tij, përgjigja kishte qenë të zbatonte ligjin.
Shqetësimin e Qirjazit e pranoi në GJKKO edhe ish eprori i tij, ish shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Maksim Malaj. Ushtaraku gjithashtu konfirmoi se kalimi i pronës kërkohej me insistim nga ministri i Berishës.
“Me kërkohej për ta firmosur, për ta dorëzuar. Nuk e kemi ne klubin Partizani dhe në këto kushte nuk kemi çfarë të japim. Më kanë kërkuar që ta dorëzoj edhe me shkresa, edhe verbalisht. E kërkonte ministri Gazmend Oketa", tha Maksim Malaj.
Kujtojmë se ish ministri Oketa dëshmoi në GJKKO në korrik, kur mbrojti Sali Berishën dhe privatizimin e Partizani, duke thënë se pronën ua ktheu pronarëve të ligjshëm.
Nga ana tjetër këtë të hënë në GJKKO ishte radha e paraardhësit të tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ishte drejtues i dikasterit kur procesi nisi me shpejtësi menjëherë pasi Berisha erdhi në pushtet.
Mediu para togave të zeza pranoi se kishte dhënë dakordësinë që privatizimin, por theksoi se nuk e kishte pasur prioritet si çështje, në një kohë kur prioritet ishte anëtarësimi në NATO. Sipas tij procedurat e privatizimit kishin nisur që në kohën e qeverisë socialiste.
“Klubi nuk ka qenë në interesin tim si ministër i mbrojtjes. Ky dikaster është autoritet politik që nuk di të ketë kompetencë mbi çështjen e planit të përhapjes, që është një sektor varësi të Shtabit të Përgjithshëm. Ministri nuk përpilon shkresa, por firmos. E kanë struktura të tjera. Nuk është e mjaftueshme të më vini përballë shkresa pa asnjë të dhënë skam se si ta di ku është bazuar një shkresë që mban firmën time por nuk ka të dhëna shoqëruese. Ministri firmoste 10-100 shkresa në ditë, nuk mbahen mend.
Shkresën 2 e kuptoj, se ka korrespondencë që nga viti 2002 e ardhur nga qeveria e majtë, e Ardhur nga Pandeli Majko e firmosur nga Anastas Angjeli. Henc Ruli në shkresë përcjell kërkesën e qeverisë së mëparshme. Kemi qenë në reforma intensive, me Pentagonim sidomos. Çdo objekt duhej të kishte terrene dhe funksione operacionale.
Kurorëzohej dhe vlerësohej nga Nato një herë në vit. Kam dijeni të letërkëmbimit që në 2001 me ministrin e kohës. Vendim ishte iniciuar për privatizimin nga qeveria e mëparshme, kujtoj që ka qenë procedurë paralele me klubin dinamo. Kam qenë gjithmonë mbështetës i ligjeve në interes të pronarëve dhe kundërshtar i ligjeve kundër tyre. Drejtoria e trajtimit të çështjeve civile Ministria e Mbrojtjes disponon prona që s’janë në plan përhapje, konsultohet mes shtabit, kompanisë së çertifikimit nga Pentagoni. Strukturat e SHBA, Këshilli i Ministrave ishin bashkëpunues edhe me Naton, kishin interes, angazhim, këshillim dhe certifikim mbi çdo veprim.
Për pronën në fjalë, ka patur të dhëna dhe pretendime për uzurpim të paligjshëm. Mua s’më ka thënë ndonjë zyrtar i Natos kap ndonjë top futbolli, mbase më ka thënë kap ndonjë top ushtarak, nga ta di unë çbëhej në një klub sportiv, nuk jam marrë me fusha futbolli. Shkresat që tregoni tregojnë se si prona ka qenë e uzurpuar. Interesi ishte të menaxhoheshin këto prona, ushtria u reduktua drastikisht dhe nuk menaxhoheshin dot sepse ndodheshin në gjithë territorin e vendit. Plani i parashikonte të mos kishte konflikte sociale. Shba asistoi në të gjitha drejtimet, kishte ekspertët e saj dhe gjithçka certifikohej një herë në vit nga Pentagoni e Nato.
Për çdo diskutim ushtarak dhe civil, operacional e jo operacional edhe për planin e përhapjes se kush do ishte e kush jo në këtë plan. Vetë orkestra frymë e FA ka qenë pjesë e planit të përhapjes tek ish klubi, firmoseshin në fund nga Presidenti. Pronat ishin aset kombëtar dhe s’duhej të shpërdoroheshin, shumë prej tyre zbatoheshin sepse nuk menaxhoheshin dot. Fillimi i procedurave të privatizimit është bërë nga ministri i ekonomisë i kohës qeverisë socialiste. Ka patur qindra prona që përdoreshin nga ushtria që janë privatizuar apo kthyer pronarëve”, tha Mediu.
Pronat ishin aset kombëtar dhe s’duhej të shpërdoroheshin, shumë prej tyre zaptoheshin sepse nuk menaxhoheshin dot. Fillimi i procedurave të privatizimit është bërë nga ministri i ekonomisë i kohës qeverisë socialiste. Ka patur qindra prona që përdoreshin nga ushtria që janë privazizuar apo kthyer pronarëve
Në këtë seancë dëshmoi edhe Justina Boriçi, Justina Boriçi, ish-drejtoreshë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila pasi u emërua u thirr në zyrë nga Sali Berisha. Megjithatë ajo nuk e pranoi që të kishte pasur ndërhyrje, edhe pse SPAK e evidenton në dosje që procedurat e “Partizani” u bënë me shpejtësi të madhe pas emërimit të saj.
Seanca e radhës për gjyqin Partizani zhvillohet më 25 nëntor, ku janë thirrur për të dëshmuar të tjerë ish zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes si Besnik Dervishi, Roland Llazari, Bari Hodaj, Ardian Shashaj dhe Erinda Ndroqi.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento