Një gjykatë në Londër e dënoi aktorin dhe komedianin britanik Russell Brand me 10 vjet e 6 muaj burg. Juri e shpalli fajtor për përdhunimin e një 21-vjeçareje dhe për sulme seksuale ndaj tri grave të tjera, gjatë periudhës kur ai punonte në industrinë e argëtimit.
Gjatë shpalljes së dënimit, gjyqtari Joel Bennathan tha se Brand, tashmë 51 vjeç, ishte kthyer në një “grabitqar seksual” në kohën kur fama e tij po rritej, rreth dy dekada më parë.
Të lidhura
None found
“Ti ishe i zgjuar dhe, për shumë njerëz, argëtues e karizmatik. Por ishe shndërruar gjithashtu në një grabitqar seksual”, u shpreh gjyqtari.
Bennathan nënvizoi se çdo grua mund të refuzojë marrëdhëniet seksuale, pavarësisht se si është veshur, ku ndodhet apo sa alkool ka konsumuar.
Vendimi e shpalli Brand fajtor për përdhunimin e një gruaje në vitin 2009 dhe për sulme seksuale ndaj tri grave të tjera, ndërsa ai po ndërtonte karrierën në televizion dhe në industrinë britanike të argëtimit. Për dy akuza të tjera përdhunimi dhe një akuzë për tentativë sulmi seksual, ai u shpall i pafajshëm.
Në seancën e dënimit, gratë paraqitën deklaratat e tyre dhe folën për pasojat fizike e psikologjike që, sipas tyre, u lanë ngjarjet.
Një grua, e cila tha se ishte sulmuar seksualisht në një lokal londinez në vitin 2004, rrëfeu se kishte përjetuar tronditje dhe vuajtje për vite me radhë, teksa shihte Brandin në media dhe të lavdëruar për sjelljen e tij ndaj grave.
Gruaja e përdhunuar në vitin 2009 tha se kishte përdorur alkoolin për të larguar kujtimet dhe dhimbjen. Një tjetër viktimë e përshkroi atë si një “grabitqar seksual që nuk ndjen pendesë për mënyrën se si sjellja e tij ka ndikuar në jetën time”.
Brand u bë i njohur në Britani në fillim të viteve 2000, fillimisht si prezantues televiziv e më pas në radio, film dhe televizion. Popullariteti i tij u rrit veçanërisht pasi drejtoi emisionin “Celebrity Big Brother’s Big Mouth” në Channel 4.
Në vitin 2006, ai filloi të drejtonte edhe një emision në BBC Radio. U largua nga puna në vitin 2008, pas një skandali për mesazhe fyese dhe seksiste drejtuar aktorit Andrew Sachs lidhur me mbesën e këtij të fundit.
Vitet e fundit, Brand ishte distancuar nga imazhi i mëparshëm dhe kishte folur më shumë për spiritualitetin, meditimin dhe fenë. Ai jetonte në Florida dhe kishte mbledhur mbi 6.6 milionë abonentë në YouTube.
Hetimi ndaj tij nisi pas një investigimi të publikuar në vitin 2023 nga gazetat britanike “The Times” dhe “The Sunday Times”, si dhe nga Channel 4. Në të, gra të tjera ngritën akuza për abuzim seksual, të cilat përfshinin persona të ndryshëm nga gjashtë gratë e përfshira në procesin gjyqësor.
Policia Metropolitane e Londrës bëri të ditur se po shqyrton edhe dy akuza të tjera për përdhunim ndaj ish-yllit britanik. Kreu i policisë, Mark Rowley, tha se nuk do të habitej nëse më shumë gra do të dilnin publikisht me pretendimet e tyre.
Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës në Britani deklaroi se vendimi dëshmon se fama, statusi dhe koha e kaluar nuk e ndryshojnë rëndësinë themelore të pëlqimit në marrëdhëniet seksuale.
Policia britanike përgëzoi gratë për guximin e treguar duke denoncuar rastet dhe tha se dëshmitë e tyre mund t’u japin zemër viktimave të tjera të dhunës seksuale që të kërkojnë drejtësi.
Brand nuk reagoi emocionalisht kur iu komunikua vendimi. Para se autoritetet ta merrnin për të nisur vuajtjen e dënimit, ai shkëmbeu disa fjalë me bashkëshorten, Laura Gallacher, dhe i tha: “Do të jemi mirë”.








