Për vitin 2027, bujqësisë i janë parashikuar 17.9 miliardë lekë, ose vetëm 1.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Gjatë raportimit në Komisionin e Bujqësisë, ministri Andis Salla tha se 47% e fondeve do të shkojnë për katër drejtime kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm dhe zonat rurale, sigurinë ushqimore, peshkimin, si dhe përforcimin e infrastrukturës së kullimit.
Të lidhura
None found
Salla deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm është 10% më i lartë se ai i vitit 2026 dhe se mbështetja për fermerët do të rritet po me 10%. Ai njoftoi gjithashtu se, krahas fondeve buxhetore, janë siguruar 72 milionë euro nga Banka Botërore për ngritjen e laboratorëve.
Deputeti i opozitës, Shkurt Lasku, i kundërshtoi shifrat e paraqitura. Sipas tij, bujqësia diskriminohet në ndarjen e fondeve publike: rritja ekonomike e vendit mbështetet kryesisht te shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa sektori bujqësor nuk financohet mjaftueshëm. Lasku e quajti shumë të ulët peshën prej 0.02% të financimit dhe tha se qeveria duhej të kishte zhvilluar një debat për shtimin e mbështetjes.
Në diskutim u trajtua edhe programi IPARD III. Këtë herë, ndryshe nga rastet e mëparshme, ministri nuk dha një datë për çeljen e tij. Salla tha se dokumentacioni i kërkuar është dërguar në shtator të këtij viti dhe se pritet përgjigjja përfundimtare e Bashkimit Europian, pasi, sipas tij, kushtet e nevojshme janë plotësuar.
Mbledhja u mbyll pa kërkesa për ndryshime ose fonde shtesë. Anëtarët e Komisionit të Bujqësisë e miratuan njëzëri në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.








