Apple ka hartuar një listë konfidenciale me afërsisht 100 mijë fjalë dhe shprehje në shumë gjuhë, të cilat tastiera e iPhone i shmang me kujdes gjatë sugjerimeve automatike të shkrimit.
Informacioni u zbulua nga një hetim i agjencisë së lajmeve Reuters, i cili ngre pyetje për mënyrën se si kompania amerikane filtron atë që u shfaqet përdoruesve të saj.
Të lidhura
None found
Fjala është për një të ashtuquajtur “listë gri”, që nuk ua ndalon përdoruesve të shkruajnë fjalët apo frazat e përfshira në të, por i pengon ato të dalin si sugjerime gjatë përdorimit të plotësimit automatik ose të shkrimit me rrëshqitje të gishtit.
Sipas studiuesit Derrick Kaufman, i cili e zbuloi listën, kjo praktikë pasqyron përpjekjen e Apple për të balancuar funksionimin e sistemit të parashikimit të tekstit me shmangien e shprehjeve fyese, vulgare apo politikisht të ndjeshme.
Megjithatë, ai paralajmëron se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë në mënyrën e komunikimit të miliona përdoruesve, pa qenë ata të vetëdijshëm për këtë.
“Është një formë shumë delikate censure. Por, duke pasur parasysh shkallën në të cilën vepron Apple, edhe një ndërhyrje kaq delikate mund të ketë një ndikim të rëndësishëm”, deklaroi Kaufman për Reuters.
Ajo që e bën zbulimin më të diskutueshëm është se lista nuk përmban vetëm fjalë të pista apo terma që lidhen me drogën, seksin dhe dhunën, por edhe shprehje me përmbajtje politike.
Mes tyre janë frazat “diktator Trump” dhe “Joe i përgjumur”, një referencë përçmuese ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden.
Në listë janë identifikuar gjithashtu shprehje si “konspiracion i krahut të djathtë”, “pavarësia tibetiane” dhe “Irlanda e Bashkuar”.
Kufizimet ndryshojnë sipas gjuhës së përdorur në tastierë. Në versionin hindi, për shembull, nuk sugjerohen disa shprehje përçmuese ndaj kryeministrit indian Narendra Modi dhe rivalit të tij politik Rahul Gandhi.
Ndërkohë, tastiera në gjuhën frënge shmang shprehjen “imigracion shumë lart”, ndërsa në versionin hebraik është identifikuar fraza “territore të pushtuara”.
Kaufman thekson se çdo gjuhë kryesore ka versionin e saj të kësaj liste, por vë në dukje edhe mospërputhje në mënyrën se si zbatohen kufizimet. Për shembull, tastiera lejon sugjerimin e shprehjes “lexo tekste erotike”, por shmang një variant të saj që i referohet përmbajtjes erotike homoseksuale.
Kaufman ra në gjurmët e kësaj liste shtatorin e kaluar, pasi vuri re se funksioni i shkrimit me rrëshqitje kishte vështirësi me disa shprehje të caktuara, si “djalë i keq” dhe “burrë i bardhë”, ndërsa nuk shfaqte të njëjtin problem me frazat “vajzë e keqe” dhe “burrë i zi”.
Kjo e shtyu të kryente një hetim më të detajuar, duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale, përfshirë Codex të OpenAI dhe Claude Code të Anthropic.
Gjatë kërkimeve, ai zbuloi një skedar të ruajtur në thellësi të sistemit operativ të Apple, ku gjendeshin fjalët dhe shprehjet që nuk shfaqeshin në sugjerimet e tastierës.
Sipas vlerësimit të tij, numri i tyre arrin në rreth 100 mijë, pa përfshirë karakteret kineze.
Edhe Reuters kreu testet e veta në një iPhone, duke verifikuar një pjesë të shprehjeve të identifikuara nga studiuesi. Në disa raste, tastiera nuk i sugjeronte fare ato, ndërsa në raste të tjera i zëvendësonte me fjalë të ndryshme.
Kështu, përpjekjet për të shkruar “Irlanda e Bashkuar” shpesh përfundonin me sugjerimin “Islanda e Bashkuar”, ndërsa shprehja “Sleepy Joe” zëvendësohej me “shpresë për gjumë”. Edhe fraza “Diktator Trump” nuk shfaqej si sugjerim në plotësimin automatik.
Gjetjet u konfirmuan gjithashtu nga Matt Swiss, inxhinier në kompaninë e sigurisë kibernetike Tolmo, i cili deklaroi se kishte arritur të rikuperonte në mënyrë të pavarur të njëjtën listë dhe të gjente një përputhje pothuajse të plotë me të dhënat e brendshme të Apple.
Nga ana e saj, Apple nuk ka dhënë një koment të drejtpërdrejtë mbi përmbajtjen apo madhësinë e listës. Kompania është mjaftuar duke theksuar se përdoruesit mund të shkruajnë çdo fjalë apo shprehje që dëshirojnë, pavarësisht sugjerimeve të sistemit.
Megjithatë, zbulimi hap një debat mbi ndikimin që algoritmet e platformave teknologjike mund të kenë në komunikimin e përditshëm dhe mbi kufirin mes parandalimit të përmbajtjeve fyese dhe filtrimit të shprehjeve me karakter politik.






