Betejë ligjore në SHBA/ Macron dhe bashkëshortja padisin Candace Owens për pretendimet tronditëse për identitetin e saj Shiu, stuhitë, era dhe temperaturat e ulëta zakonisht lidhen me humorin e keq, por një profesor britanik i psikologjisë thotë se pikërisht këto dukuri natyrore e ndihmuan të përballonte depresionin dhe ankthin.
Sipas tij, moti që shpesh e quajmë i keq mund të ketë edhe efekte pozitive në shëndetin mendor dhe mirëqenien tonë.
Për shumë njerëz, një ditë me shi është arsye për të qëndruar brenda, për të anuluar planet dhe për të pritur me padurim rikthimin e diellit.
Por për profesorin britanik Trevor Harley, shiu dhe stuhitë kanë pasur një kuptim krejt tjetër: ato janë kthyer në një burim qetësie dhe force gjatë periudhave më të vështira të jetës së tij.
Profesor Emeritus i Psikologjisë në Universitetin e Dundees në Skoci, Harley ka kaluar më shumë se 30 vjet duke vëzhguar dhe regjistruar me kujdes ndryshimet e motit. Nga përvoja personale, ai tregon se shiu, era e fortë, bora dhe stuhitë e kanë ndihmuar të përballojë depresionin dhe ankthin.
Për të, natyra është bërë një kujtesë se asgjë nuk zgjat përgjithmonë, madje as periudhat më të vështira emocionale.
“Edhe ngjarjet më të forta të motit kalojnë”, është një nga mendimet që e ka ndihmuar të përballojë momentet e errëta.
Sipas Harley-t, nuk është rastësi që shumë njerëz ndihen më të qetë kur dëgjojnë shiun që bie në dritare apo mbi çati.
Tingulli i shiut ka një ritëm të përsëritur dhe të qëndrueshëm, të ngjashëm me atë që njihet si “zhurma rozë” (pink noise), e cila në disa studime është lidhur me relaksimin dhe përmirësimin e gjumit.
Këta tinguj mund të ndihmojnë në uljen e stresit dhe të krijojnë një mjedis më të përshtatshëm për pushim.
Një tjetër element është aroma karakteristike që ndiejmë pas shiut. Kur pikat e ujit bien mbi tokën e thatë, në ajër çlirohen përbërje kimike, përfshirë gjeosminën, e cila i jep tokës atë aromë të veçantë.
Kjo aromë është një nga përvojat natyrore që shumë njerëz e lidhin me qetësinë dhe ndjesinë e freskisë.
Madje, disa kërkime sugjerojnë se ditët me shi mund të ndikojnë edhe në produktivitet. Një studim i kryer te punonjësit në Japoni ka vërejtur rritje të produktivitetit gjatë ditëve me reshje, kur shpërqendrimet nga aktivitetet jashtë janë më të pakta.
Ndërsa për disa njerëz bubullimat dhe vetëtimat shkaktojnë frikë, për të tjerë stuhitë mund të krijojnë një ndjenjë të veçantë çlirimi dhe qetësie.
Harley përmend edhe ndryshimet atmosferike gjatë stuhive, përfshirë praninë e joneve negative në ajër.
Disa studime kanë shqyrtuar lidhjen mes joneve negative dhe përmirësimit të humorit, si dhe reduktimit të simptomave depresive te disa persona. Megjithatë, këto rezultate nuk nënkuptojnë se stuhitë janë një trajtim për depresionin.
Edhe temperaturat e ulëta, të cilat shpesh lidhen me melankolinë dhe mungesën e energjisë, mund të kenë disa efekte pozitive kur ekspozimi ndaj tyre është i moderuar.
I ftohti aktivizon mekanizma natyrorë të trupit për të ruajtur temperaturën. Ai mund të rrisë vigjilencën, të ndikojë në qarkullimin e gjakut dhe të aktivizojë të ashtuquajturin dhjamë kafe, i cili ndihmon në prodhimin e nxehtësisë.
Kjo është një nga arsyet pse vitet e fundit janë shtuar interesimi për zhytjet në ujë të ftohtë dhe praktikat e tjera të ekspozimit të kontrolluar ndaj temperaturave të ulëta.
Megjithatë, ekspozimi ndaj të ftohtit ekstrem nuk është i përshtatshëm për të gjithë dhe mund të paraqesë rreziqe shëndetësore.
Ndryshe nga perceptimi i zakonshëm se ditët me diell sjellin gjithmonë humor të mirë, ndryshimet sezonale mund të ndikojnë ndryshe te njerëzit.
Pranvera, për shembull, me rritjen e orëve të dritës dhe ndryshimet e temperaturës, mund të shoqërohet te disa persona me pagjumësi, ankth dhe shqetësime të ritmit të gjumit.
Këto ndryshime lidhen me mënyrën se si organizmi përshtatet me dritën, hormonet dhe ritmin biologjik.
Pra, një ditë me diell nuk garanton domosdoshmërisht mirëqenie emocionale, ashtu siç një ditë me shi nuk duhet të konsiderohet automatikisht e keqe për shëndetin mendor.
Për Trevor Harley-n, lidhja me motin është kthyer në shumë më tepër sesa një interes për fenomenet atmosferike. Ajo është bërë një mënyrë për të kuptuar jetën dhe për të ndërtuar qëndrueshmëri psikologjike.
Vëzhgimi i natyrës dhe ndryshimeve të saj e ka ndihmuar të kuptojë se asnjë gjendje nuk është e përhershme. As shiu nuk zgjat përgjithmonë, as stuhitë nuk vazhdojnë pa fund.
“Ndonjëherë duhet të mësojmë të mos luftojmë çdo ditë të vështirë, por të pranojmë se edhe ajo është pjesë e jetës dhe se, herët a vonë, do të kalojë”, mesazh nga Harley.
Top Channel