Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka ngritur dyshime për një marrëveshje të mundshme të fshehtë ndërmjet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Plakolli i ka shprehur këto dyshime gjatë një interviste në emisionin Five në TV Dukagjini.
Ai ka kritikuar takimet e Abdixhikut me persona që, sipas tij, vazhdojnë të mbështesin bashkëpunimin me kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci. Kjo ndodh ndonëse dega e LDK-së ka vendosur të largohet nga ai koalicion. Dyshimi për një marrëveshje të fshehtë Abdixhiku-VV, tha ai, kërkon përgjigje nga kryetari i partisë.
Ky i fundit po takohet me njerëz që nuk po i qëndrojnë pas vendimit të degës për të dalë nga koalicioni. “Po i takon njerëzit që i qëndrojnë në koalicion Faton Pecit, përkundër vendimit të degës për të dalë prej koalicionit. Dhe kjo është arsyeja që kërkoj përgjigje.
A ka ndonjë marrëveshje të fshehtë mes kryetarit Abdixhiku dhe Lëvizjes Vetëvendosje?”, ka deklaruar Plakolli. Sipas tij, situata bëhet edhe më e paqartë pikërisht për shkak të këtyre takimeve. Ato vijnë në kundërshtim me vendimin e degës së LDK-së në Mitrovicë për t’u larguar nga koalicioni me Pecin.
Plakolli ka rikujtuar edhe qëndrimin e Abdixhikut gjatë diskutimeve për çështjen e presidentit. Sipas tij, ky i fundit kishte kritikuar gjashtë deputetë të LDK-së që nuk po mbështesnin marrëveshjen. “Kur ishte në bisedime për presidentin, gjashtë deputetë të LDK-së ishin kundër marrëveshjes.
I përmendi me emra dhe gjithë topin ua hodhi atyre deputetëve, pse nuk po i qëndrojnë pas vendimeve gjoja të kryesisë, se aty vendime nuk ka pasur. E për tetë muaj, prej shkurti, njerëzit e LDK-së nuk i rrinë pas vendimeve të degës”, ka deklaruar ai. Duke folur për zhvillimet brenda degës së Mitrovicës, Plakolli ka thënë se gjatë tri viteve në krye të saj ka kaluar nëpër pesë procese zgjedhore.
Bëhet fjalë për tri palë zgjedhje nacionale, zgjedhjet lokale dhe balotazhin. Megjithatë, ai thotë se nuk e ka pasur përkrahjen e premtuar nga niveli qendror i partisë.
