10 familje në Gjashtë prej 8 ditësh pa ujë, banorët denoncojnë ndërprerjen e furnizimit pa paralajmërim
Prej tetë ditësh, 10 familje në zonën e njohur si “Lagjja Korçare”, në Gjashtë të Sarandës, kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm. Situata është denoncuar nga banorët, të cilët thonë se problemi ka nisur pas vendosjes së linjës së re të ujësjellësit. Sipas denoncimit të një banoreje drejtuar Saranda Web, me vendosjen e tubacionit të ri është ndërprerë edhe lidhja e vjetër, pa u dhënë asnjë njoftim paraprak familjeve që furnizoheshin prej saj.
Banorja shprehet se prej tetë ditësh në banesat e tyre nuk ka ardhur asnjë pikë ujë, ndërsa përpjekjet për të marrë një përgjigje nga Ujësjellësi nuk kanë dhënë rezultat.
Ajo tregon se është paraqitur personalisht pranë zyrave të Ujësjellësit për të kërkuar sqarime, por nuk ka marrë asnjë përgjigje për arsyen e ndërprerjes apo kohën kur mund të rikthehet furnizimi.
Banorët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë për zgjidhjen e problemit, pasi mungesa e ujit prej më shumë se një jave po u krijon vështirësi në përditshmëri.