Qeveria rrit bonusin e bebeve dhe ndryshon skemën e përfitimit të tij. Duke filluar nga 1 korriku i vitit 2027, familjet shqiptare që do të bëhen me fëmijë pritet të përfitojnë mbështetje financiare çdo muaj, për një periudhë pesëvjeçare. Skema e re e bonusit të bebeve u prezantua nga kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se për fëmijën e parë, prindërit do të përfitojnë çdo muaj një bonus prej 5 mijë lekësh të rinj, për 5 vite. Ndërkohë, siç bëri të ditur kreu i qeverisë, për fëmijën e dytë bonusi do të jetë 7 mijë lekë në muaj dhe për të tretin 10 mijë lekë në muaj. “Bonusi i bebeve, me një mbështetje të re mujore për familjet shqiptare. Nga 1 korriku 2027, për çdo fëmijë të lindur do të jepen për 5 vite: 5,000 lekë/muaj për fëmijën e parë, ose 300 mijë lekë në 5 vite. 7,000 lekë/muaj për fëmijën e dytë, ose 420 mijë lekë në 5 vite. 10,000 lekë/muaj për fëmijën e tretë, ose 600 mijë lekë në 5 vite”.