Ekskluzive/ Ish-“skifteri” Dorian Puka publikon bisedat me gazetarët anglezë: Më ofruan para për të qenë në emisione, ja çfarë i kërkova Nigel Farage

09/11/2026 20:01

Dorian Puka, në gjashtë vitet e fundit, është bërë shqiptari më i komentuar në median britanike.

Çdo postim i shqiptarit nga Laçi, i dënuar dy herë për grabitje shtëpish dhe i rikthyer dy herë në Angli pas dëbimeve, është kthyer në magnet për televizionin GB News, me qasje anti-emigrante, si dhe për gazetat ultrakonservatore The Telegraph dhe Daily Mail.

Postimet e Dorian Pukës në rrjetet sociale janë një ushqimin perfekt për këto media, të cilat i përdorin ato si retorikë antie-migrante.

Puka, i cili thotë se “unë i kam paguar me burg gabimet e mia dhe dua të vijoj një jetë të qetë në Angli”, paraditen e kësaj të hëne publikoi në rrjetet e tij sociale bisedat me disa prezantues të njohur të GB News, të cilët, sipas Dorian Pukës, i kanë ofruar para për ta intervistuar.

Sipas Dorian Pukës gazetarët anglez në mbrëmje e komentojmë në studio si kriminelin  të cilin Home Office nuk e dëbon dot, ndërsa gjatë ditës i shkruajnë me shumë respekt duke e ftuar për dreka dhe darka.

Madje sipas tij një prezantuese e njohur femër flirton me të si e si për ti bërë një reportazh duke e ndjekur gjatë një dite me kamerë Dorian Pukën.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka parë komunikimet me gazetarët anglezë, të publikuara nga Dorian Puka.

Në njërën prej tyre, ai shkruan:

“GB News, nuk kam nevojë për paratë tuaja të pista. Nik dua të  përfitoj asgjë”.

“Ndaloni së foluri marrëzira për jetën time vetëm për të marrë disa shikime të rreme”.

“Gjithçka që thoni është gënjeshtër. Ndaloni së gënjyeri publikun me informacionet tuaja të rreme. Ju nuk dini asgjë për mua; gjithçka që bëni është të shpikni historitë tuaja”.

“Më ftoni të marr pjesë në emisionin tuaj dhe unë refuzoj, sepse jeni media e rreme. Merruni me problemet diku tjetër dhe më lini të qetë”.

“E di që jam i rëndësishëm për programin tuaj të rremë, sepse ju sjell shikime. E vetmja gjë që ju intereson janë shikimet. Nëse ju intereson vërtet vendi, atëherë publikoni histori të vërteta për atë që po ndodh”.

“E shihni shumë mirë që nuk më intereson asgjë nga ato që thoni, sepse janë të gjitha të pavërteta! E kaluara ime i përket së shkuarës. Nuk do ta fsheh kurrë dhe jam krenar që e kam lënë pas”.

“Nuk më intereson fare! Ndaloni me këtë media të rreme! Nuk do të marr kurrë pjesë në emisionin tuaj të rremë. Ndaloni ftesat. Nëse jam kaq i keq, atëherë pse më ftoni në emisionin tuaj?”

“Daily Mail dhe The Telegraph në Britaninë e Madhe më kanë ofruar shumë para për të marrë pjesë në emisione. Nëse jam kaq i keq, pse dëshironi të më keni në emision? Si mund të më ofroni para për të marrë pjesë në emision, kur unë refuzoj? Ju thjesht shpikni historitë tuaja. Unë nuk do të marr kurrë pjesë në mediat tuaja të rreme”.

Nuk i ka munguar as ftesa për të qenë i ftuar në emisionin e politikanit të Reform UK, Nigel Farage, në GB News.

Në një tjetër status, dedikuar Farage, Dorian Puka i shkruan:

“Nigel, ndaloji njerëzit e tu të më kontaktojnë në telefon. Unë nuk kam ndërmend të vij në emisionin tënd. Nuk kam ndërmend të bëj asnjë ujdi me ju”.

Ndërkohë, Dorian Puka, për t’i vënë në një pozitë të vështirë producentët e Nigel Farage, gjatë një komunikimi u thotë:

“Vij në emisionin e Nigel nëse ai më rregullon letrat (lejen e qëndrimit në Angli)”.

E shkuara Dorian Pukës

Puka u dënua fillimisht me nëntë muaj burg në vitin 2016 dhe u deportua vitin pasardhës, pasi tentoi të hynte me forcë në një banesë. Pronari i shtëpisë e kishte vënë re përmes një kamere interneti, ndërsa ndodhej me pushime në Francë.

Brenda një viti, ai arriti t’u shmangej kontrolleve kufitare dhe të rikthehej në Mbretërinë e Bashkuar, ku kreu një sërë vjedhjesh në banesa në Londër.

Ai u kap përfundimisht nga efektivë policie civilë, të cilët patrullonin në zonën e Surbitonit, në jugperëndim të Londrës.

Në momentin e arrestimit, Puka mbante në dorë një orë të shtrenjtë, të cilën e kishte vjedhur, pas një rritjeje të numrit të vjedhjeve në këtë zonë.

Puka u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg dhe u deportua në mars të vitit 2020, përpara se të rikthehej sërish ilegalisht në Britani.

Rekordi i tij kriminal dhe dënimet e mëparshme me burg bëjnë që ai të përmbushë kriteret për deportim automatik.

Megjithatë, ai ka qëndruar në Britani për më shumë se tre vjet, pasi Ministria e Brendshme britanike (Home Office) nuk ka mundur ta deportojë për shkak të kërkesës së tij për azil dhe sfidave ligjore që vijojnë.

Në Tribubalin e apelit  për emigracionin disa javë më parë Puka e humbi betejën ligjore për të qëndruar në Angli.

Të gjitha kërkesat për azil iu refuzuan pasi më parë nuk ishin pranuar nga Home Office.

Top Channel