Kushner dhe Witkoff takohen me aleatët evropianë para bisedimeve Rusi-Ukrainë në Abu Dhabi

Botë | 1 minutë më parë

Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe vendeve kryesore evropiane do të zhvillojnë konsultime në Abu Dhabi përpara nisjes së negociatave trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, bëri të ditur se ai dhe i dërguari special presidencial për paqen, Steve Witkoff, do të takohen me përfaqësues nga Ukraina, Bashkimi Evropian, NATO, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia për të koordinuar qëndrimet mbi sigurinë evropiane dhe të ardhmen e Ukrainës pas përfundimit të luftës.

Në një postim në rrjetin social X, Kushner tha se takimet do të shërbejnë për të vazhduar konsultimet e nisura javët e fundit dhe për të harmonizuar veprimet e aleatëve perëndimorë përpara fazës së re të negociatave.

Sipas mediave ndërkombëtare, përfaqësuesit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, të njohura si “Trojka Evropiane”, synojnë të jenë të pranishëm në Abu Dhabi gjatë zhvillimit të negociatave. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre pritet të kufizohet kryesisht në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare.

Gazeta “Politico”, duke cituar burime diplomatike, raportoi se takimi në Abu Dhabi shihet si një fazë paraprake e procesit negociues, ndërsa formati përfundimtar i bisedimeve do të përcaktohet në varësi të ecurisë së diskutimeve mes palëve.

Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase kanë njoftuar se përveç negociatave me SHBA-në dhe Rusinë, do të zhvillojnë takime të veçanta edhe me përfaqësues të vendeve evropiane dhe NATO-s.

Negociatat trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës janë planifikuar të zhvillohen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi. Delegacioni rus do të drejtohet nga ndihmësi i presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky.

Kremlini ka bërë të qartë se bisedimet do të fokusohen tek garancitë e ndërsjella të sigurisë për Rusinë dhe Ukrainën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi më herët se negociatat janë konceptuar si një format trepalësh dhe se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e vendeve evropiane nuk është parashikuar në marrëveshjen fillestare.

Ndërkohë, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, vlerësoi publikisht përpjekjet e administratës Trump për të avancuar drejt një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.

Bisedimet e Abu Dhabit konsiderohen si një nga përpjekjet më të rëndësishme diplomatike të muajve të fundit për t’i dhënë fund luftës që vazhdon prej vitesh në Ukrainë, ndërsa vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është përqendruar te gatishmëria e palëve për të arritur një kompromis.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme