Dorian Puka, shqiptari nga Laçi që prej vitesh është në qendër të vëmendjes së mediave britanike, ka publikuar disa komunikime me gazetarë dhe producentë të GB News, Daily Mail dhe The Telegraph, duke pretenduar se i kanë ofruar para për të marrë pjesë në intervista televizive.
Puka akuzon mediat britanike për hipokrizi, pasi sipas tij, nga njëra anë e portretizojnë si një kriminel që sfidon autoritetet britanike, ndërsa nga ana tjetër e kontaktojnë privatisht për ta bërë pjesë të emisioneve të tyre. Sipas Top Channel, në mesazhet e publikuara, ai refuzon ofertat dhe i cilëson këto media si të pavërteta, duke i akuzuar se përdorin historinë e tij për të nxitur retorikën kundër emigrantëve dhe për të siguruar sa më shumë shikime.
“E kaluara ime i përket së shkuarës. Nuk do ta fsheh kurrë dhe jam krenar që e kam lënë pas”, shkruan Puka në një prej reagimeve të tij.
Në shënjestër të tij ka qenë edhe Nigel Farage, politikani i Reform UK dhe prezantues në GB News. Pukës nuk i ka munguar as një mesazh i drejtpërdrejtë për të, ku i kërkon të ndalojë kontaktet nga bashkëpunëtorët e tij, pasi nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e emisionit.
Në një prej komunikimeve, shqiptari shprehet me ironi se do të pranonte ftesën për të dalë në emisionin e Farage vetëm nëse ky i fundit do t’i siguronte lejen e qëndrimit në Britani.
Publikimet e tij kanë rikthyer në debat raportin mes mediave britanike, emigracionit dhe mënyrës se si historia personale e një individi përdoret për të ushqyer diskutimet politike në vend.
