Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se ka organizuar 240 konferenca për media, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) vuri në dyshim transparencën e saj. Organizata kërkoi procese gjyqësore transparente, drejtësi të paanshme dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.
Reagimi iu drejtua edhe kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. OVL-UÇK e cilësoi atë dhe Gjykatën Speciale që ajo drejton si turp për drejtësinë ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
Sipas organizatës, numri i konferencave për media nuk dëshmon se proceset gjyqësore janë të drejta dhe transparente. Qytetarëve të Kosovës, theksoi ajo, nuk u duhen 240 konferenca për ta kuptuar drejtësinë, por paanshmëri, transparencë gjatë procesit dhe mbrojtje e të drejtave themelore. OVL-UÇK shtoi se komunikimi transparent nuk mund të mbulojë shkelje të mundshme gjatë gjykimit.
Organizata pyeti nëse Gjykata Speciale ka treguar të njëjtën transparencë edhe për pretendimet dhe shqetësimet e mbrojtjes, ankesat për kushtet e paraburgimit dhe pretendimet për shkeljen e të drejtave të të akuzuarve.








