Greva për pagat ndal trenat në Kosovë, qytetarët mbeten pa transport hekurudhor Debati për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut vijon të mbetet i pazgjidhur, ndërsa qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zv.kryeministri Bekim Sali, nuk kanë arritur të bindin studentët shqiptarë.
Mickoski ka bërë të qartë se provimi nuk do të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, duke propozuar që vetëm pjesa teorike të mund të jepet në gjuhën në të cilën kandidatët kanë përfunduar studimet. Ndërsa pjesa praktike, që përfshin simulimin e procedurave gjyqësore penale dhe civile, sipas tij, duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase, raporton Portalb.mk.
Sipas propozimit të kryeministrit, kandidatët do të kenë mundësi të testohen në shqip, turqisht ose anglisht për pjesën teorike, por jo për të gjithë provimin.
Ky qëndrim nuk përmbush kërkesën kryesore të rreth 400 studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimin e jurisprudencës ta zhvillojnë plotësisht në gjuhën shqipe, ashtu siç kanë ndjekur edhe studimet universitare.
Nga ana tjetër, zv.kryeministri i parë, Bekim Sali, ka deklaruar se qeveria është duke punuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke theksuar se vendimi nuk do të kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës, por do të përfshijë edhe provimet e tjera profesionale.
Sali ia ka atribuuar përgjegjësinë për situatën qeverisjes së kaluar, duke pretenduar se ekzekutivi aktual po përpiqet të korrigjojë padrejtësitë ndaj studentëve.
Ai ka siguruar se zgjidhja e propozuar është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa është shprehur i gatshëm për vazhdimin e dialogut me studentët, fakultetet juridike dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur se kur pritet të merret një vendim përfundimtar.
Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, ka bërë të ditur se ata janë të gatshëm të vazhdojnë bisedimet me institucionet, por kërkojnë argumente të qarta juridike, përgjegjësi dhe afate konkrete.
“Nuk kërkojmë zgjidhje të pjesshme, por të drejtën e plotë”, shprehen studentët.
Ademi e ka cilësuar propozimin e fundit si një përparim në krahasim me variantet e mëparshme, por ka theksuar se ai nuk e zgjidh plotësisht problemin.
Sipas tij, studentëve ende nuk u është shpjeguar bindshëm se përse provimi nuk mund të zhvillohet 100 për qind në gjuhën shqipe dhe pse kandidatëve nuk u lejohet të paktën të japin përgjigjet në shqip gjatë pjesës praktike.
Një tjetër shqetësim është koha e nevojshme për zbatimin e propozimit. Sipas Ademit, edhe në rastin më optimist, procesi mund të zgjasë më shumë se një vit.
Ai ka shprehur gjithashtu kundërshtimin ndaj mundësisë që çështja të dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venecias, pasi kjo mund të sjellë vonesa të tjera.
Në debat është përfshirë edhe ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i cili ka propozuar që 84 për qind e provimit të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Megjithatë, sipas studentëve, ky propozim është vënë në pikëpyetje nga kryeministri Mickoski vetëm një ditë më vonë, duke krijuar paqartësi për qëndrimin përfundimtar të qeverisë.
Studentët kërkojnë garanci konkrete se cilin propozim do të mbështesin institucionet dhe kur do të nisë zbatimi i tij.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është ngritur që në nëntor të vitit 2024 dhe mori vëmendje më të madhe në fillim të këtij viti, kur rreth 400 studentë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” dorëzuan peticion në institucionet përkatëse.
Deri më tani, studentët kanë organizuar dy protesta, duke kërkuar respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën shqipe.
Top Channel