Katari pritet të presë javën e ardhshme një takimi mes zëvendëspresidentit amerikan JD Vance dhe sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, sipas deklaratës së bërë nga kreu i shërbimit turk të inteligjencës, Ibrahim Kalin. Kalin tha se takimi mund të ndihmojë në avancimin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje mund të çojë në një tjetër sulm amerikan kundër Iranit.
Megjithatë, agjencia iraniane Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare, citon një zyrtar të lartë të sigurisë në Teheran që ka mohuar se një takim i tillë është planifikuar. Sipas këtij zyrtari, politika e Teheranit për negociatat nuk ka ndryshuar dhe nuk do të shqyrtohet asnjë mundësi për bisedime me palën amerikane pa ndërmarrjen paraprake të veprimeve konkrete nga Uashingtoni, në përputhje me shtatë kushtet e përcaktuara nga Irani. Zyrtari theksoi se derisa pala amerikane të ndërmarrë veprime konkrete në kuadër të këtyre kushteve, nuk do të shqyrtohet asnjë plan për negociata.
Në zhvillime të afërta diplomatike, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance. Kryeministri katarez kishte zhvilluar javën e kaluar një vizitë në Teheran si pjesë e përpjekjeve diplomatike për uljen e tensioneve mes palëve. Po ashtu, kryeministri i Irakut ka zhvilluar një vizitë në Iran, me synimin, sipas raportimeve, për të kontribuar në përfundimin e luftës.
Pavarësisht sinjaleve për përpjekje të reja ndërmjetësimi nga Katari dhe vizitave të tjera diplomatike, mbetet e paqartë nëse Uashingtoni dhe Teherani do të ulen në tryezën e negociatave. Pala iraniane ka mohuar deri më tani ekzistencën e një takimi të planifikuar, ndërsa pala turke shpreh shpresën se një takim në Katar mund të avancojë bisedimet midis dy vendeve.

