Clive Bartram, një ish-mësues 58-vjeçar, është dënuar në Britaninë e Madhe me 7 vite e gjysmë burg. Ai u shpall fajtor për shfrytëzim seksual të të miturave dhe për nxitjen e vajzave që të krijonin e t’i dërgonin fotografi intime të vetes.
Hetimet çuan në identifikimin e pesë viktimave, të moshës 14 deri në 16 vjeç, për mbrojtjen e të cilave autoritetet morën masa. Bartram u shpall fajtor për 13 vepra penale të lidhura me shfrytëzimin seksual të fëmijëve, si edhe me posedimin apo krijimin e materialeve të paligjshme.
Të lidhura
None found
Policia e arrestoi në qershor të vitit të kaluar në shtëpinë e tij në Croydon, në jug të Londrës. Arrestimi erdhi pasi ai u lidh me një llogari në rrjetet sociale ku publikoheshin materiale të abuzimit seksual me fëmijë.
Kur filluan hetimet, 58-vjeçari ishte i punësuar në një shkollë të mesme. Hetuesit thonë se ai u shkruante vajzave drejtpërdrejt në internet dhe u premtonte karta dhuratash ose shpërblime të tjera për fotografi me përmbajtje të papërshtatshme.
Bartram krijonte edhe identitete të rreme në internet, duke përdorur fotografitë e një personi të cenueshëm që njihte për të komunikuar me viktimat. Këtij personi i kishte kërkuar që gjithçka të mbahej “sekret”.
Në pamjet e arrestimit të regjistruara nga policia, Bartram ndodhet në divanin e shtëpisë dhe luan me telekomandën e televizorit, ndërkohë që efektivët i njoftojnë arrestimin.
Nga kontrolli i banesës u sekuestruan telefona celularë, kompjuterë portativë dhe pajisje USB. Hetuesit gjetën edhe një telefon tjetër që ish-mësuesi e përdorte, megjithëse fillimisht kishte mohuar se ekzistonte. Pajisja ishte hedhur nga dritarja dhe u zbulua në kopshtin e një prone fqinje.
Analiza forenzike e pajisjeve dhe e llogarive të lidhura me to nxori në dritë materiale të paligjshme me përmbajtje seksuale që përfshinin fëmijë. Ato u klasifikuan në të tria kategoritë e përcaktuara nga autoritetet britanike: A, B dhe C.





