Përplasjet për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut vijojnë, ndërsa propozimet e fundit të qeverisë nuk kanë bindur studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë që testimi të zhvillohet tërësisht në gjuhën e tyre.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka kundërshtuar mundësinë që provimi të zhvillohet 100% në shqip, duke propozuar që kandidatët të kenë të drejtë të zgjedhin gjuhën shqipe, turke ose angleze vetëm për pjesën teorike. Ndërsa pjesa praktike, që përfshin simulimin e procedurave gjyqësore civile dhe penale, sipas tij, duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase.
Ky qëndrim ka shkaktuar pakënaqësi te rreth 400 studentë shqiptarë, të cilët kërkojnë të njëjtat të drejta gjuhësore gjatë gjithë procesit të provimit.
Nga ana tjetër, zv.kryeministri i parë Bekim Sali ka deklaruar se institucionet po punojnë për një zgjidhje, e cila nuk do të prekë vetëm provimin e jurisprudencës, por edhe testimet e tjera profesionale. Ai ka theksuar se propozimi i qeverisë është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke shprehur gatishmërinë për të vijuar diskutimet me studentët dhe institucionet akademike.
Megjithatë, përfaqësuesit e studentëve kërkojnë më shumë se premtime. Mevlan Ademi ka deklaruar se ata janë të gatshëm për dialog, por presin argumente të qarta ligjore, përgjegjësi institucionale dhe një kalendar konkret për zgjidhjen e çështjes.
Studentët e konsiderojnë propozimin e fundit një hap përpara krahasuar me variantet e mëparshme, por theksojnë se ai nuk garanton të drejtën që kërkojnë.
Sipas Ademit, ende nuk ka një shpjegim bindës se përse pjesa praktike nuk mund të zhvillohet në shqip, apo të paktën të lejohet që kandidatët të japin përgjigjet në këtë gjuhë.
Shqetësim mbetet edhe koha e zbatimit të ndryshimeve, pasi procesi mund të zgjasë më shumë se një vit. Studentët kundërshtojnë gjithashtu mundësinë e dërgimit të çështjes për shqyrtim në Komisionin e Venecias, nga frika e vonesave të mëtejshme.
Në këtë debat është përfshirë edhe ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i cili ka propozuar që 84% e provimit të zhvillohet në gjuhën shqipe. Por ky variant është vënë në pikëpyetje nga Mickoski, duke shtuar paqartësitë mbi qëndrimin e ekzekutivit.
Çështja është ngritur që në nëntor të vitit 2024, ndërsa në fillim të këtij viti mori përmasa më të mëdha, pasi rreth 400 studentë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” iu drejtuan institucioneve me një peticion.
Deri më tani janë zhvilluar edhe dy protesta, ku studentët kanë kërkuar zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe garantimin e së drejtës për ta dhënë provimin e jurisprudencës plotësisht në gjuhën shqipe.
