Një ish-mësues 58-vjeçar është dënuar me 7 vite e gjysmë burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për shfrytëzim seksual të të miturave dhe nxitjen e vajzave për të krijuar e dërguar fotografi intime të vetes.
Clive Bartram u arrestua nga policia në banesën e tij në Croydon, në jug të Londrës, në qershor të vitit të kaluar, pasi u lidh me një llogari në rrjetet sociale përmes së cilës publikoheshin materiale të abuzimit seksual me fëmijë.
Në kohën kur nisi hetimi, 58-vjeçari punonte në një shkollë të mesme. Sipas hetuesve, ai komunikonte drejtpërdrejt me vajzat përmes internetit dhe u ofronte karta dhuratash apo shpërblime të tjera në këmbim të fotografive me përmbajtje të papërshtatshme.
Për të komunikuar me viktimat, ai përdorte gjithashtu fotografi të një personi të cenueshëm që njihte, duke krijuar identitete të rreme në internet. Personit në fjalë i kishte thënë se gjithçka duhej të mbetej “sekret”.
Gjatë arrestimit, i cili është filmuar nga policia, Bartram shihet i ulur në divanin e tij, duke luajtur me telekomandën e televizorit, ndërsa efektivët i komunikojnë se po e arrestojnë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi telefona celularë, kompjuterë portativë dhe pajisje USB. Hetuesit zbuluan se ish-mësuesi kishte në përdorim edhe një telefon tjetër, ekzistencën e të cilit fillimisht e kishte mohuar. Pajisja u gjet në kopshtin e një prone fqinje, pasi ishte hedhur nga dritarja.
Ekzaminimet forenzike të pajisjeve dhe llogarive të lidhura me të zbuluan materiale të paligjshme me përmbajtje seksuale që përfshinin fëmijë, të klasifikuara në të tria kategoritë e përcaktuara nga autoritetet britanike: A, B dhe C.
Hetimi identifikoi pesë viktima, të moshës nga 14 deri në 16 vjeç, ndërsa autoritetet morën masa për mbrojtjen e tyre. Bartram u shpall fajtor për 13 vepra penale që lidhen me shfrytëzimin seksual të fëmijëve dhe posedimin apo krijimin e materialeve të paligjshme.
