Një histori që pasqyron një realitet të dhimbshëm social është ajo e 17-vjeçarit Erindi, i cili, pasi u gjobit me 5 milionë lekë për pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë, ka treguar edhe kushtet e vështira në të cilat jeton së bashku me familjen e tij. Në një intervistë për gazetarin, Osman Stafa, i riu ka rrëfyer realitetin e shtëpisë së tij, ku mungojnë shumë prej kushteve elementare të jetesës.

Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e mbështetjes e bëjnë edhe më të rëndë përditshmërinë e Erindit, i cili jeton me babanë, motrën dhe vëllain. Pavarësisht kushteve të vështira, ajo që bie në sy është krenaria me të cilën 17-vjeçari tregon flamurin kuqezi që mban në dhomën e tij dhe dëshirën për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

Erindi ka humbur nënën nga një sëmundje e rëndë, ndërsa familja përballet me vështirësi të shumta ekonomike dhe sociale. Motra e tij ka nevojë për mbështetje dhe shërbime nga shteti, por ndihma që përfiton nuk është e mjaftueshme për nevojat e saj.

Gjatë rrëfimit, i riu ka treguar se familja është përballur edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike dhe vështirësi për të përballuar detyrimet financiare. Madje, ai pasi bëri publike gjobën prej 5 milionë lekësh, ka treguar se është ndëshkuar sërish me një tjetër gjobë prej 50 mijë lekësh të vjetra.

Historia e Erindit ngre pikëpyetje të forta mbi gjendjen sociale të familjeve në nevojë dhe mbështetjen që ato marrin nga institucionet shtetërore. Një 17-vjeçar që duhet të mendojë për shkollimin dhe të ardhmen e tij, gjendet përballë një barre të rëndë ekonomike, ndërsa familja e tij përpiqet të përballojë vështirësitë e përditshme.