• Kreu
REPORT.AL
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport
No Result
View All Result
REPORT.AL
No Result
View All Result
Home Aktualitet

“Take-or-pay” pa gaz: si e pranoi Shqipëria rrezikun që fqinjët e refuzuan

by Bota Bota
November 9, 2026
in Aktualitet, Ekonomi, Kryesore
“Take-or-pay” pa gaz: si e pranoi Shqipëria rrezikun që fqinjët e refuzuan
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Në fund të prillit, në prani të kryeministrit dhe ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, kompania shtetërore Albgaz nënshkroi me kompaninë greke Aktor LNG USA një kontratë 20-vjeçare për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror të lëngshëm amerikan.

Ceremonia u paketua dhe u shit nga propaganda qeveritare si akt gjeopolitik. Por gjashtë muaj më pas, pas raportimeve të Wall Street Journal (WSJ) mbi rolin e ambasadores në promovimin e kompanisë, dorëheqjes së saj, kërkesave për hetim nga SPAK dhe pranimit nga Ministria e Energjisë se ende priste studimin e fizibilitetit që duhej kryer para nënshkrimit, është koha të bëjmë atë që nuk u bë për publikun atëherë: të lexojmë faturën.

Elementet e kontratës që dihen – dhe ato që nuk dihen

Ajo që dihet me siguri: 1 miliard metra kub gaz në vit, për 20 vjet, duke nisur nga viti 2030; vlera e deklaruar rreth 6 miliardë dollarë – ose 6 miliardë euro sipas raportit të vetë grupit Aktor Group për vitin 2025; furnizuesi fillestar, kompania Venture Global e SHBA-së, i blerë nëpërmjet ndërmjetësit grek; konfirmim verbal i drejtuesve të grupit në muajin qershor se kontrata përmban klauzolën “take-or-pay”; deklarim në tetor i avokatëve të Aktor-it ndaj WSJ se marrëveshja është “detyruese për palët” dhe i nënshtrohet arbitrazhit ndërkombëtar; dhe, sipas kreut të vetë Aktor-it, një klauzolë kushtëzuese që lidhet me garancinë e shtetit shqiptar për kompaninë shtetërore.

Sipas kësaj klauzole, që përdoret zakonisht në kontratat afatgjata të furnizimit me gaz dhe energji, shteti shqiptar, si blerës, detyrohet ose të marrë një sasi minimale të gazit të përcaktuar në kontratë dhe ta paguajë atë, ose të bëjë pagesën e parashikuar edhe nëse nuk e merr atë sasi.

Ato që nuk dihen për taksapaguesit shqiptarë janë: çmimi, formula e indekseve (nëse lidhet me indeksin amerikan të çmimit të gazit Henry Hub, me indeksin holandez Title Transfer Facility (TTF) apo me të dyja), përqindja e detyrimit minimal, të drejtat e rikthimit të sasive të paguara e të pamarra dhe me çfarë garancish konkrete mbështetet detyrimi. Për një kontratë që i ngarkon buxhetit të shtetit një pagesë të mundshme prej rreth 300 milionë dollarësh në vit – edhe në vitet kur hidrocentralet e Drinit prodhojnë plotësisht – siç vërente me të drejtë revista Monitor në maj të këtij viti – kjo pagesë nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht një detaj teknik. Ajo është thelbi i problemit të vetë marrëveshjes: një detyrim 20-vjeçar i qeverive të ardhshme shqiptare, i nënshkruar pa garë, në mungesë të një studimi fizibiliteti të publikuar dhe pa debatin e nevojshëm parlamentar që duhet të shoqërojë marrëveshjet ndërkombëtare në emër të shtetit.

Çfarë bënë vendet e tjera me të njëjtat oferta?

Mënyra më e thjeshtë për të vlerësuar atë që nënshkroi Tirana është të shohësh si iu përgjigjën fqinjët të njëjtit ofertues. Rumania: në nëntor 2025 nënshkroi vetëm një memorandum jodetyrues me Transgaz dhe Nova Power & Gas (Transgaz, komunikatë zyrtare, 11.2025); prodhuesi shtetëror Romgaz e vlerësoi ofertën 20-vjeçare me çmim të lidhur me Henry Hub dhe dorëzim në Alexandroupolis dhe e refuzoi – kosto e dorëzuar 33-42 euro për megavat-orë (MWh) kundrejt çmimeve të pritura të tregut 30-40 euro/MWh, me humbje të projektuara 50 deri në 310 milionë euro në vit, sipas dokumentit të vlerësimit të kompanisë Romgaz.

Memorandumi rumun skadoi më 5 shkurt 2026 pa asnjë kontratë apo draft kontrate. Qeveria rumune, siç dëshmon WSJ, e mbajti këtë qëndrim edhe nën presion diplomatik të dokumentuar. Ukraina: negociatat e Naftogaz me ndërmjetësin u ndalën, siç raportonte Greek City Times në muajin shtator. Bullgaria: u nënshkrua vetëm një memorandum me Bulgargaz. Bosnja: e vetmja marrëveshje e krahasueshme me ne – por aty blerësi është një kompani private industriale (Aluminij), që peshon vetë rrezikun dhe jo shteti.

Shqipëria mbetet kështu e vetmja në rajon që ktheu ofertën e njëjtë në një detyrim ligjor shtetëror – dhe e vetmja që e bëri këtë pa zotëruar as rrjet gazi, as konsum gazi, madje pa pasur as studim fizibiliteti, siç vë në dukje ALTAX në maj të këtij viti. Ironia është vërtet e hidhur: vendi me tregun më të pazhvilluar të gazit në rajon pranoi rrezikun financiar të cilin vendet me treg të zhvilluar e refuzuan pasi bënë llogaritjet përkatëse.

Çfarë sjell dhe çfarë nuk sjell në treg kjo marrëveshje?

Problemi nuk është vetëm çmimi, por edhe kufizimet fizike e teknike. Derisa të ndërtohet infrastruktura shqiptare, gazi i rigazifikuar në Revythousa të Greqisë do të hyjë në Shqipëri përmes TAP-it. Sipas drejtuesve të kompanisë, kapaciteti i rezervuar për Shqipërinë është vetëm 0,16 miliardë metra kub në vit, rreth gjashtë herë më pak se detyrimi prej 1 miliard metra kub. Pika Fier South pritet në fund të 2027-s, ndërsa tubacioni Fier–Vlorë, i financuar nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), parashikohet rreth vitit 2030, kur nis detyrimi. Sipas raportit të përputhshmërisë së Albgaz-it (2023), tubacioni është projektuar njëdrejtimësh, me presion 55 bar, që nuk mundëson futjen e gazit në TAP.

Sipas Balkan Green Energy News të prillit të këtij viti, terminali me njësi pluskuese ruajtjeje dhe rigazifikimi (FSRU) në Vlorë mbetet vetëm një memorandum studimi me Aktor Energy USA. Terminali i Argent LNG, me kapacitet deri në 5 milionë tonë/vit, është një tjetër memorandum jodetyrues, pa kosto, afat apo vendndodhje të konfirmuar zyrtarisht nga kompania. Në gjuhën e ekonomisë: në vitin 2030 Shqipëria do të ketë detyrimin e plotë të pagesës dhe, me shumë mundësi, nuk do të ketë rrugën e plotë fizike për të marrë, për të përdorur a për të rishitur gazin.

Nëse gazi nuk merret, klauzola “take-or-pay” kërkon pagesën gjithsesi; nëse merret dhe nuk konsumohet, rishitja në një treg ku TAP-i është i zënë me gaz azerbajxhanas është praktikisht e pamundur.

Përputhja me strategjinë energjetike të BE-së

Marrëveshja e kompanisë shtetërore Albgaz me kompaninë greke Aktor LNG USA paraqitet si kontribut në “Korridorin Vertikal” dhe në diversifikimin europian. Por faktet zyrtare të BE-së tregojnë një tension të pakontestueshëm. Plani i Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund varësisë nga lëndët djegëse fosile ruse – gazi, nafta dhe qymyri – dhe për të përshpejtuar kalimin drejt energjisë së pastër (2022), synon shmangien e varësisë nga gazi rus para fundit të dekadës – jo zgjerimin e konsumit të gazit; projekti i Korridorit Vertikal mbështetet si infrastrukturë sigurie, por të gjitha dokumentet e Komisionit e shoqërojnë me kushtin e reduktimit të kërkesës dhe të qëndrueshmërisë.

Edhe pse BE-ja është detyruar përmes tregtisë të blejë energji amerikane – rreth 750 miliardë dollarë deri në vitin 2028 – komisioneri i energjisë Dan Jørgensen ka deklaruar publikisht se blloku synon të diversifikohet edhe larg furnizuesit amerikan (EUobserver, 2026), dhe analiza e Institutit për Ekonominë dhe Financat e Energjisë (IEEFA, tetor 2026) paralajmëron se 75-80% e importeve të gazit natyror të lëngshëm të BE-së në 2030 mund të vijnë nga SHBA – një varësi e re në vend të të vjetrës.

Në këtë situatë interesash komplekse të BE-së, SHBA-së dhe fuqive të mëdha në tërësi, qeveria shqiptare, e pakoordinuar me objektivat e BE-së për shkarkimin e karbonit, e lidhi vendin për 20 vitet në vijim saktësisht me atë lloj marrëdhënieje që BE po përpiqet të menaxhojë në mënyrë të kujdesshme – dhe në kushtet më të pafavorshme, sepse shtetet anëtare blejnë me tregje funksionale dhe me opsione rishitjeje. Edhe eksponentë të shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë paralajmëruar këtë paradoks që në samitin e Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji: rajoni nuk ka nevojë për më shumë gaz, por për tranzicion më të shpejtë.

Sa e gatshme është ekonomia shqiptare në përdorimin e gazit?

Le të shohim të dhënat. Shqipëria nuk disponon një rrjet kombëtar të transmetimit dhe të shpërndarjes – aktiviteti kryesor operativ i Albgaz-it është mirëmbajtja e segmentit të TAP-it (Komuniteti i Energjisë, Raporti i Zbatimit 2024 për Shqipërinë; Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA), 03.2026). Nuk zotëron as depozita gazi. Nuk ka një konsum industrial të rëndësishëm – energjia nga gazi është praktikisht zero në bilancin tonë energjetik. Qytetet nuk kanë rrjete komunale të gazit; projekti i vetëm i shpërndarjes (Korça) është në fazën fillestare. Nuk ekziston një treg i brendshëm ku gazi të ketë çmim, kontraktues dhe konkurrencë.

Sipas Monitor, për të absorbuar 1 miliard metra kub në vit me centrale gazi, Shqipërisë i duhen rreth 750 megavat (MW) kapacitete të reja gjenerimi (dy centrale moderne) plus port plus rrjet – një investim i vlerësuar mbi 1,2-1,5 miliardë dollarë që nuk ka as vendim përfundimtar investimi (FID), as financues, as afat (Monitor, 22.05.2026). Kur mbaron faza e studimeve dhe e memorandumeve, mbetet kryesorja: një ekonomi në të cilën mungon kërkesa për gaz ka nënshkruar një detyrim të garantuar për gaz…

Termocentrali i Roskovecit: blerësi i vetëm real – dhe konflikti i interesave

Këtu hyn termocentrali (TEC) i Roskovecit: 170 MW me cikël të kombinuar, i miratuar nga qeveria në dhjetor 2024, zhvilluar nga Fier Thermoelectric (GEK Terna 35%, DEPA Commercial 35%, Gener 2/ABA FTE 30%), me gaz të siguruar, sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, me një kontratë 7-vjeçare të korporatës publike greke të gazit DEPA përmes TAP-it. Ky është i vetmi projekt konkret ku gazi gjen një përdorues të identifikueshëm – dhe për të është rezervuar edhe kapaciteti aktual i TAP-it prej 0,16 miliardë metra kub në vit.

Por statusi i tij dëshmon se edhe ky blerës “i sigurt” është i pasigurt: licencimi është pezulluar nga ERE në shtator 2025 për mangësi në dokumentacion dhe për mungesën e financimit, ndërsa banorët e zonës protestojnë për lejet mjedisore. Dhe këtu qëndron pyetja lidhur me konfliktin e interesave që mediat shqiptare s’e kanë bërë: sipas Ot.gr – një portal grek lajmesh dhe analizash ekonomike – DEPA Commercial zotëron 35% të centralit që do të konsumonte gaz dhe njëkohësisht 40% të Atlantic SEE – ndërmjetësit nëpërmjet të cilit vjen LNG-ja e kontratës me shtetin shqiptar. Domethënë, i njëjti grup ekonomik është në të dy anët e zinxhirit të gazit në Shqipëri: furnizues i centralit të vet dhe ndërmjetës i detyrimit të shtetit. Në çdo demokraci funksionale, minimalisht kjo lidhje do të kërkonte transparencë të plotë përpara, jo pas nënshkrimit të marrëveshjes nga qeveria në emër të shtetit.

Investimet kritike pa shqyrtim (screening): standardi ekziston, zbatimi mungon

BE-ja e trajton energjinë si infrastrukturë kritike dhe shqyrtimin (screening) e investimeve të huaja direkte (FDI) si instrument të sigurisë kombëtare. Rregullorja (BE) 2019/452 parashikon shqyrtimin e investimeve në infrastrukturën kritike energjetike, ndërsa Rregullorja (BE) 2026/1386, e miratuar në qershor 2026 dhe e zbatueshme nga 17 janari 2028, e bën të detyrueshëm në të gjitha vendet anëtare, përfshirë entitetet kritike në energji, transport dhe infrastrukturë digjitale.

Shqipëria e ka përqafuar këtë standard: në korrik 2025, ndryshimet në Ligjin 7764/1993 “Për Investimet e Huaja” futën shqyrtimin e detyrueshëm të FDI-së, për herë të parë në Ballkanin Perëndimor. Vendimi i Qeverisë nr. 226, datë 1 prill 2026, e operacionalizoi mekanizmin, duke kërkuar njoftim dhe shqyrtim nga pragu 10% i pjesëmarrjes së investitorit të huaj në sektorët “veçanërisht sensibël”, përfshirë infrastrukturën kritike energjetike. Edhe projektligji “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim në tetor 2026, përfshin energjinë në infrastrukturën kritike dhe parashikon shqyrtimin për arsye sigurie ose rendi publik, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë e furnizimit.

Paradoksi këtu është i qartë: kur një investitor i huaj duhet të shqyrtohet për të marrë 10% të një aseti kritik energjetik, shteti shqiptar u lidh 20 vjet me një ndërmjetës të huaj – pas të cilit qëndron edhe një kompani e kontrolluar nga një shtet i huaj (DEPA, 40% e Atlantic SEE) – pa asnjë vlerësim të publikuar të sigurisë, pa asnjë gjurmë shqyrtimi dhe me tekst sekret të kontratës. Dhe KE-ja vetë konstaton në raportin e vitit 2026 se kuadri ligjor shqiptar për mbrojtjen e infrastrukturës kritike “nuk është i pajtuar me acquis-in” – pra, edhe standardin që kemi në letër nuk po e zbatojmë në rastin më kritik të mundshëm.

Siguria komerciale: fatura e fshehur e arbitrazhit

Detyrimi ndaj Aktor-it nuk është fjalë në erë apo deklaratë politike. Ka një precedent: në 2020-ën, arbitrazhi i ICC-së dënoi shtetin shqiptar me rreth 44 milionë dollarë për autostradën Tiranë–Elbasan. Vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit të Parisit në 2022 dhe detyrimi mbetet i pashlyer (ICC, 2020; KLSH, 2026). Kompania e njeh procedurën dhe ka fituar më parë.

Tërheqja nga kontrata 20-vjeçare e gazit të lëngshëm mund të sjellë pretendime për qindra miliona dollarë dëmshpërblim, plus interesa, duke rënduar mbi profilin e rrezikut, koston e huamarrjes dhe besueshmërinë kontraktuale të vendit deri në 2050.

Shqetësimi nuk është vetëm vendor. Sipas WSJ, ndërsa Tirana priste studimin e fizibilitetit, Aktor-i deklaronte se marrëveshja ishte ligjërisht detyruese (WSJ, 14.10.2026). Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton analizën e dobët, mungesën e ekspertizës në kontratat PPP dhe hezitimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përpara arbitrazhit. Brenda një dekade, tre investitorë amerikanë kanë pasur konflikte me Shqipërinë, dy prej të cilëve përfunduan në arbitrazh (DASH, 2025). IAReporter raporton gjithashtu një arbitrazh urgjent kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nënshkrueses së marrëveshjes me Aktor-in (IAReporter, 2026). Me këtë historik, kontratat afatgjata me klauzola arbitrazhi kërkojnë transparencë dhe vlerësim të ekspozimit financiar.

Rasti Agon ilustron pasojat: mbyllja e televizionit u gjykua nga ICSID si politikisht e motivuar, me 110 milionë euro dëmshpërblim. Kundërshtimet shqiptare dështuan; sekuestrimi i fondeve të Albcontrol-it u shoqërua me transferimin e 70 milionë eurove nga investimet. Deri në shtator 2026, ekspozimi ndaj arbitrazheve arriti 184,7 milionë euro, ndërsa dëmi kumulativ nga çështjet e humbura vlerësohet në 388,5 milionë euro (KLSH, 2026).

Mesazhi për kontratën e gazit është i thjeshtë: marrëveshjet qeveritare me kompani private, të nënshkruara pa transparencë e pa analizë ekonomike paraprake, janë ftesa të fshehura për arbitrazh – dhe faturën e paguan gjithmonë qytetari, kurrë nënshkruesi. Transparenca, analiza dhe mbrojtja e interesave të ekonomisë kombëtare janë detyrim kushtetues i qeverisë. Pasuritë e vendit dhe buxheti i shtetit, sot e në të ardhmen, nuk mund të përdoren për përfitime financiare klienteliste, interesa okulte politike apo si mall këmbimi në tryezat e lobimeve. Për praktika të tilla që cenojnë ekonominë kombëtare, vendi parashikon ndalime ligjore dhe ndëshkime penale.

Çfarë duhet bërë tani?

Së pari, mendoj se nevojitet publikimi i plotë i kontratës – pa të cilin çdo debat mbetet vetëm një hamendësim.

Së dyti, asnjë garanci shtetërore nuk duhet të nënshkruhet përpara se të publikohet studimi i fizibilitetit që vetë ministria përgjegjëse po pret dhe përpara verifikimit parlamentar të klauzolave të marrëveshjes.

Së treti, SPAK-u duhet të përfundojë në mënyrë të përshpejtuar hetimin e kërkuar nga opozita dhe jo vetëm për procesin e nënshkrimit të marrëveshjes me Aktor LNG USA – kurrsesi për të ndëshkuar bashkëpunimin me SHBA, por për të verifikuar nëse kushtet janë negociuar në interes të shtetit apo të kompanisë ndërmjetëse.

Së katërti, çdo zgjerim i marrëveshjes (çështja e lidhjes me tubacionin Fier-Vlorë, FSRU, garancitë) duhet të lërë mënjanë logjikën e “marrëveshjeve historike” dhe propagandës së dalëboje të Rilindjes për t’u fokusuar në logjikën e provës ekonomike: çmim krahasues, fleksibilitet vëllimesh, detyrim minimal i ulur, të drejta rikthimi, etj.

Shqipëria, padyshim, ka nevojë për siguri energjetike – por siguria nuk blihet me detyrime të verbra, as me vendimmarrje strategjike në shërbim të interesave të pushtetarëve. Një vend si yni, që nuk ka asnjë metër tubacion funksional gazi për konsumatorët e vet, s’ka çfarë të “diversifikojë” me 6 miliardë dollarë; ka vetëm një detyrim të rëndë financiar për një mall që s’ka se ku ta çojë – një detyrim që do ta mbartin qeveritë e ardhshme dhe do ta paguajnë qytetarët deri në vitin 2050. Kjo është fatura që duhej lexuar para ceremonisë dhe që sot duhet lexuar pa asnjë vonesë: para çdo garancie shtetërore, para çdo zgjerimi të marrëveshjes dhe para se kostoja e daljes prej saj të bëhet e papërballueshme. Sepse historia e dy dekadave të fundit na mëson se marrëveshjet e mëdha nënshkruhen me ceremoni, por faturat më të rënda vijnë gjithmonë pa ceremoni – dhe gjithmonë në adresën e qytetarit.

/Zef Preçi – Shteg.org

Tags: gaztake or payZef Preçi
Previous Post

U gjobit 5 mln lekë për protestën, historia prekëse e 17-vjeçarit: Pa nënë, pa drita dhe në varfëri

Bota Bota

Bota Bota

TË FUNDIT

“Take-or-pay” pa gaz: si e pranoi Shqipëria rrezikun që fqinjët e refuzuan

“Take-or-pay” pa gaz: si e pranoi Shqipëria rrezikun që fqinjët e refuzuan

November 9, 2026
U gjobit 5 mln lekë për protestën, historia prekëse e 17-vjeçarit: Pa nënë, pa drita dhe në varfëri

U gjobit 5 mln lekë për protestën, historia prekëse e 17-vjeçarit: Pa nënë, pa drita dhe në varfëri

November 9, 2026
Gazetari holandez: ‘The Albanian Files’, maja e ajsbergut, nuk keni parë asgjë akoma

Gazetari holandez: ‘The Albanian Files’, maja e ajsbergut, nuk keni parë asgjë akoma

November 9, 2026
Protestuesit te Kryeministria i kërkojnë dorëheqjen, Rama takohet me Macron në Paris

Protestuesit te Kryeministria i kërkojnë dorëheqjen, Rama takohet me Macron në Paris

November 9, 2026
Bashkia e Durrësit lë në errësirë qytetin/ Ndriçimi publik, problem i pazgjidhur

Bashkia e Durrësit lë në errësirë qytetin/ Ndriçimi publik, problem i pazgjidhur

November 9, 2026
Jep dorëheqjen drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu

Jep dorëheqjen drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu

November 9, 2026
Alimehmeti: Reforma Territoriale abuzim i PS-së! Nxit shpopullimin

Alimehmeti: Reforma Territoriale abuzim i PS-së! Nxit shpopullimin

November 9, 2026
Nis protesta në Tiranë, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Nis protesta në Tiranë, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

November 9, 2026
“Veliaj në gjendje kritike”, avokati kërkon raportin e plotë mjekësor

“Veliaj në gjendje kritike”, avokati kërkon raportin e plotë mjekësor

November 9, 2026
Këlliçi: Pse nuk duhet të habitemi me akuzat për korrupsion ndaj Vlora Hysenit!

Këlliçi: Pse nuk duhet të habitemi me akuzat për korrupsion ndaj Vlora Hysenit!

November 9, 2026

REPORT.AL

Portali report.al është një media online e pavarur që sjell lajme, analiza dhe informacione të sakta në kohë reale. Me fokus tek transparenca dhe vërtetësia, portali synon t’u ofrojë lexuesve shqiptarë një burim të besueshëm lajmesh nga politika, ekonomia, shoqëria dhe ngjarjet ndërkombëtare.

RUBRIKAT

  • Aktualitet
  • OP-ED
  • Politike
  • Rajon
  • Showbiz
  • Sociale
  • Shëndet
  • Sport

MË TË KLIKUARAT

  • Tradhtia shkak i vrasjes së 61-vjeçarit? Pas krimit, nënë e bir hodhën rrobat në tualet/ Detajet

    Tradhtia shkak i vrasjes së 61-vjeçarit? Pas krimit, nënë e bir hodhën rrobat në tualet/ Detajet

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Plagoset me armën e shërbimit ushtari në Bazën Ajrore të Kuçovës

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Sherr mes disa personave në Vlorë, policia qëllon me armë

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Aktualitet
  • OP-ED
  • Politike
  • Rajon
  • Showbiz
  • Sociale
  • Shëndet
  • Sport

© 2025 REPORT.AL

No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport

© 2025 REPORT.AL