Presidenti i nderit i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka shkaktuar shqetësim në Gjermani me deklaratat e tij për gjendjen shëndetësore të Jamal Musialës, duke vënë në dyshim nëse mesfushori do të arrijë ndonjëherë ta rikthejë nivelin e tij të mëparshëm.

Hoeness ishte i ftuar të dielën në emisionin “Sonntags-Stammtisch” të transmetuesit publik bavarez BR, ku foli hapur për situatën e futbollistit 23-vjeçar.


“Me të, jemi në dilemë. Është një sëmundje që nuk shërohet, por mund të kontrollohet deri diku. A do ta ketë ndonjëherë aftësinë që kishte dikur...”, deklaroi Hoeness, duke lënë të kuptohet se rikthimi i Musialës në nivelin e tij më të mirë nuk është i garantuar.

Një pjesë tjetër e deklaratave të tij kishte të bënte me kontratën e futbollistit. Hoeness theksoi se Musiala vazhdon të marrë pagën e tij dhe se Bayerni duhet ta mbështesë në këtë periudhë të vështirë.

“Vetëm imagjinoni nëse Bayerni do të fillonte tani të vinte në pikëpyetje kontratën e tij”, shtoi ai.

Musiala kishte pësuar dy episode të humbjes së shkurtër të vetëdijes gjatë ndeshjeve miqësore në gusht, kundër Leipzigut dhe Heidenheimit, brenda pak ditësh. Më vonë, futbollisti gjerman kishte shpjeguar se këto episode lidheshin me një çrregullim neurologjik, i cili mund të trajtohet.

Aktualisht, 23-vjeçari është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi muskulor të pësuar gjatë një kampi stërvitor me Kombëtaren e Gjermanisë. Tifozët e Bayernit shpresojnë që ai të rikthehet sa më shpejt në dispozicion të skuadrës.

uli hoeness telegrafi.com

Ndërkohë, disa ditë më parë, legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthäus, kishte shprehur dyshime se dëmtimi i Musialës mund të ishte më serioz nga sa kishte bërë të ditur klubi bavarez. /Telegrafi/