Diplomati Agim Nesho ka kërkuar një qëndrim të përbashkët nga të gjitha partitë opozitare kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se me atë që e cilëson si regjim, nuk mund të zhvillohen zgjedhje.
I ftuar në SYRI TV, Nesho u shpreh se protesta e studentëve dhe revolta e qytetarëve janë shprehje e kërkesës për ndryshimin e sistemit politik në vend.
Sipas Neshos, opozita duhet të dalë me një qëndrim unik se me këtë regjim nuk mund të zhvillohen zgjedhje, duke paralajmëruar partitë që të mos e shohin situatën si një mundësi për të përfituar kapital politik.
“Unë mendoj që këtu kemi përpara një regjimi. Kemi një lëvizje dhe revoltë të studentëve, të popullit, i cili kërkon ndryshimin e këtij regjimi.
Pra, pranimi i zgjedhjeve lokale dhe futja nga të gjithë partitë tregon që ky regjim nuk e ndryshon dot natyrën e tij.
Ai si ka vazhduar që t’i manipulojë zgjedhjet, si të ushtrojë gjithë presionin ndaj administratës, blerjes së votës, përdorimin të partisë shtet, të gjitha këto rezultati do të jetë i njëjtë.
Pra, në këto momente është shumë e nevojshme që të gjithë partitë e spektrit opozitar, ose që pretendojnë të jenë parti të opozitës që përfaqësojnë interesat e këtij populli, i cili sot është i revoltuar për një sërë arsyesh, shpopullimin e Shqipërisë, vjedhjen masive të pronave dhe financave publike, të mosqeverisjes, mos transparencës, të shtypjes me dhunë që u bëhet demonstruesve për të drejtën e tyre kushtetuese e të tjera, duhet të prononcohen që janë kundër regjimit, kjo është e para.
E dyta, duhet të themi që të gjithë partitë e vogla, të cilat në një farë mënyre i bëjnë presion edhe Partisë Demokratike që është opozita më e madhe në vend, që t’i zënë vendin dhe ndajnë pushtetin me Ramën, duhet të prononcohen faktikisht që për qëndrimin e tyre të pastër për 11 majin e vitit të kaluar të zgjedhjeve, të cilat ishin manipulim i hapur.
Pra, duhet të kemi një qëndrim unik nga e gjithë opozita, që me këtë regjim nuk bëhen zgjedhje.
Prandaj unë mendoj që taktika është, mos shikojnë për të përfituar kapital politik’, u shpreh diplomati Nesho në SYRI TV.












