Gazetarja e njohur Klodiana Lala ka ngritur shqetësime të forta për disa prej çështjeve më të diskutuara dhe hetimeve që lidhen me projektet e mëdha publike në Shqipëri.
E ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Lala u ndal te Aeroporti i Vlorës, skandali i AKSHI-t, SHISH-i, inceneratorët dhe projekti i Portit të Durrësit.
Ajo theksoi se këto çështje kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë, duke ngritur pikëpyetje mbi personat që kanë firmosur kontratat dhe vendimet për projektet në fjalë.
Në fokus të deklaratës së saj ishte veçanërisht inceneratori i Tiranës, për të cilin gazetarja tha se, sipas të dhënave që disponon, rrezikon t’i kushtojë shtetit deri në 400 milionë euro, ndërkohë që ende nuk ka përgjegjësi penale për zyrtarë të lartë.
Gazetarja ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi vendimet e Këshillit të Ministrave, duke pretenduar se 17 vendime i kanë dhënë bonus një kompanie që ajo e cilësoi fantazmë, ndërsa në landfillin e Sharrës, sipas saj, inceneratori mungon.
“Aeroporti i Vlorës është nën hetim. Kemi skandalin e AKSHI, të SHISH, skandali me inceneratorët që janë dhënë miliona dhe nuk ke incenerator. Ne kemi Portin e Durrësit që ndoshta është ndër aferat më të rënda dhe vendi jonë rrezikon të mbesë pa port. Kush e ka firmosur Portin e Durrësit? Kush e ka firmosur inceneratorin e Tiranës? Inceneratori i Tiranës, Ende nuk ka zyrtarë të lartë të marrë përgjegjësi penale…Sipas të dhënave rrezikon të na kushtojë deri në 400 mln euro…Këshilli i Ministrave ka firmosur një vendim, ka futur 17 vendime i ka dhënë bonus një kompanie fantazmë dhe ndërkohë shkon në Sharrë dhe nuk ke incenerator”, tha gazetarja Klodiana Lala.
