Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka rikthyer në vëmendje çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama për firmosjen e projektit dhe përdorimin e fondeve publike.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Lapaj deklaroi se Rama ka pranuar se ka firmosur për inceneratorin, ndërkohë që impianti, sipas tij, nuk është ndërtuar asnjëherë.
Por pretendimi më i fortë i Lapajt lidhet me një pagesë të kryer më 9 nëntor. Ai deklaroi se në këtë datë, Republika e Shqipërisë i ka kaluar kompanisë që nuk ka ndërtuar inceneratorin një shumë prej 35 mijë eurosh.
Sipas kreut të “Shqipëria Bëhet”, kjo çështje ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e administrimit të parave publike dhe përgjegjësinë e personave që kanë firmosur dhe marrë vendimet për këtë projekt.
Lapaj kritikoi gjithashtu koncesionin e Check-Up, të cilin e cilësoi si një tjetër projekt problematik, duke kërkuar zbardhjen e përgjegjësive për dëmet e pretenduara ndaj financave publike.
“Pas firmës fap fap doli që nuk ka incinerator. Inceneratori i Tiranës nga godina e Kryeministrisë nuk është më larg se 10 km në vijë ajrore. Ky është njeriu që i kemi besuar buxhetin e shtetit… I kemi dhënë çelësin. Pati edhe debat publik. A nuk u bë kurioz kur të gjithë i thonë mungon? Në datën 9 nëntor Republika e Shqipërisë i ka paguar kompanisë që nuk e ka ndërtuar inceneratorin 35 mijë euro”, deklaroi Lapaj.
Ai shtoi se, sipas tij, hetimet për çështje të ndryshme kanë evidentuar shkelje dhe se është e nevojshme të zbardhen lidhjet dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.














