Një 45-vjeçar shqiptar është dënuar me 3 vite e 10 muaj burg në Angli. Arrestimi i tij vjen pasi pranoi autorësinë e nëntë grabitjeve në banesa në disa zona të vendit, ku arriti të përvetësonte sende me vlerë mbi 500 mijë paund.

Shtetasi Dionis Doku, është shpallur fajtor pas një hetimi të gjatë të policisë britanike. Në shënjestër të tij ishin banesa ku ndodheshin bizhuteri të shtrenjta, çanta të markave luksoze, para dhe sende të tjera me vlerë. Ajo që çoi në identifikimin e shqiptarit ishte prova e ADN-së, e gjetur në disa prej vendeve ku ishin kryer vjedhjet.

Mes tyre, një gjurmë në dorezën e një dollapi, një shenjë në dritare dhe, më e rëndësishmja, ADN-ja e lënë në këmbëzën e një shisheje me solucion antibakterial. Sipas hetuesve, Doku kishte përdorur solucionin në një përpjekje për të fshirë gjurmët, por pa e kuptuar kishte lënë prova që do ta lidhnin me ngjarjet.

Një prej grabitjeve më të rënda ndodhi në Ashford, ku shqiptari hyri në banesë ndërsa pronarja ndodhej brenda. Ai vodhi bizhuteri, para dhe çanta luksoze me vlerë 221,438 paund. Gruaja dëgjoi hapa në katin e sipërm dhe njoftoi policinë, por autori arriti të largohej.

Hetimet zbuluan se ai kishte vepruar në nëntë banesa në Kent, Londër, Buckinghamshire dhe Surrey. Një tjetër element që ndihmoi policinë ishte gjurmimi i automjetit të lidhur me një prej grabitjeve, përmes kamerave të leximit automatik të targave (ANPR).

Kjo çoi hetuesit drejt zonës së Ealing Broadëay, në perëndim të Londrës, ku efektivët e pikasën Dokun në një stacion autobusi në rrugën Uxbridge dhe e arrestuan.

Në gjykatë, disa prej viktimave treguan edhe pasojat psikologjike të ngjarjeve. Një prej tyre deklaroi se fëmijët e saj vazhdonin të kishin probleme me gjumin dhe kishin frikë të qëndronin vetëm në dhoma. Një tjetër u shpreh se pas grabitjes nuk ndihej më e sigurt në shtëpinë e saj.

Dionis Doku pranoi të nëntë akuzat për vjedhje në banesa dhe më 3 nëntor 2026, Gjykata e Kurorës në Harroë e dënoi me 3 vite e 10 muaj burg. Hetimi u drejtua nga Policia e Kentit, në bashkëpunim me forcat e tjera të policisë britanike dhe agjenci të specializuara.