Një elektricist 34-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e sotme në Shkodër, pasi dyshohet se është goditur nga rryma elektrike gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë elektrike.
Sipas informacionit paraprak të policisë, i riu me inicialet A. N. është dërguar rreth orës 20:36 në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, por ka mbërritur pa shenja jete.
Nga hetimet paraprake dyshohet se elektricisti ka qenë duke riparuar një defekt në rrjetin elektrik në fshatin Bardhaj, pasi ishte thirrur jashtë orarit zyrtar të punës nga disa familje që kishin mbetur pa energji elektrike.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.












