Arrestimi i 50-vjeçarit Robert Duka në Tiranë ka marrë vëmendje edhe në mediat greke, të cilat kanë zbuluar detaje nga e kaluara e tij kriminale. Sipas një artikulli të publikuar nga media greke “Protothema”, Duka, i njohur edhe me emrin Albert Duka, ishte akuzuar më herët për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se ka kryer 28 grabitje bankash në Greqi. 50-vjeçari u arrestua nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”, pasi dyshohet si autor i dy grabitjeve të armatosura në kryeqytet, të ndodhura më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, në zonën e Komunës së Parisit. Nga të dyja ngjarjet dyshohet se janë marrë rreth 75 mijë euro.