Një nga emrat më të njohur të muzikës latine në botë, këngëtari kolumbian Maluma, pritet të vijë në Prishtinë gjatë vitit 2027, duke sjellë një lajm të shumëpritur për adhuruesit e muzikës së tij në Kosovë dhe Shqipëri.
Artisti ka publikuar destinacionet e turneut të tij të ri botëror, të titulluar “Loco X Volver World Tour 2027”, ku në mesin e më shumë se 60 qyteteve të përzgjedhura figuron edhe kryeqyteti i Kosovës.
Prishtina është përfshirë në listën e qyteteve evropiane që Maluma pritet të vizitojë, krahas Parisit, Madridit, Barcelonës, Berlinit, Milanos, Vjenës, Budapestit dhe shumë qendrave të tjera të rëndësishme.
Sipas njoftimit të publikuar nga vetë artisti në rrjetet sociale dhe listës në faqen e tij zyrtare, turneu do të përfshijë destinacione në Evropë, Amerikë dhe Afrikë.
Deri më tani nuk është bërë e ditur data e saktë e koncertit në Prishtinë, vendndodhja apo mënyra e shitjes së biletave.
Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Maluma do të jetë pjesë e festivalit Sunny Hill apo nëse do të organizohet një koncert i veçantë për të.
Turneu “Loco X Volver World Tour 2027” mban emrin e albumit të tij të ri, të publikuar në vitin 2026, dhe pritet të sjellë në skenë këngët e këtij projekti, krahas hiteve që e kanë bërë Malumën një nga artistët më të dëgjuar të muzikës latine.

