Tifozët e duan titullar, Spaleti i mbyll derën Zhegrovës: Ja çfarë i mungon sulmuesit
Edon Zhegrova vazhdon të jetë një nga emrat më të diskutuar te Juventusi. Sulmuesi shqiptar ka lënë përshtypje pozitive në minutat që i janë dhënë, duke fituar simpatinë e tifozëve bardhezi, të cilët kërkojnë që ai të aktivizohet si titullar.
Megjithatë, trajneri Luçiano Spaleti duket se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim. Tekniku italian ka shpjeguar arsyet e vendimit të tij gjatë një interviste në emisionin “La Domenica Sportiva”, në “Rai Sport”.
Spaleti vlerësoi aftësitë sulmuese të Zhegrovës dhe ndikimin që ai mund të ketë kur futet nga stoli, por theksoi se futbollisti shqiptar ka ende vështirësi në situatat kur skuadra duhet të ruajë ekuilibrin mes sulmit dhe mbrojtjes.
“Ndonjëherë luan shumë mirë në gjysmëorën e fundit. Por kur e vendos në situata sfiduese, në ndeshje ku loja ndryshon vazhdimisht dhe duhet edhe të mbrohesh, ai fillon të gabojë. Një gjë e bën mjaft mirë, ndërsa një tjetër jo aq mirë. Nuk arrijmë kurrë të kemi një ekuilibër të plotë”, u shpreh Spaleti.
Kështu, pavarësisht paraqitjeve pozitive dhe kërkesës së tifozëve për ta parë nga minuta e parë, Zhegrova duhet të bindë trajnerin se mund të japë kontribut jo vetëm në fazën sulmuese, por edhe në aspektin taktik e mbrojtës.




