El Nino kërcënon botën me krizë urie, 49 milionë njerëz të tjerë në rrezik deri në vitin 2027 Kompania Meta ka njoftuar zgjerimin global të teknologjisë së verifikimit të moshës përmes inteligjencës artificiale, me synimin për të identifikuar më mirë përdoruesit adoleshentë dhe për të parandaluar anashkalimin e kufizimeve të vendosura për ta në rrjetet sociale.
Sistemi i ri do të fillojë të zbatohet në Instagram gjatë këtij muaji dhe më pas do të shtrihet edhe në Facebook dhe Threads.
Sipas kompanisë, teknologjia përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar përdoruesit që dyshohet se janë nën 18 vjeç, edhe në rastet kur ata kanë deklaruar një datëlindje të rreme për t’u paraqitur si të rritur.
Përmes analizimit të sjelljes dhe përmbajtjes së publikuar në platformë, sistemi vlerëson moshën e përdoruesve dhe, nëse konstaton se bëhet fjalë për adoleshentë, i kalon automatikisht llogaritë e tyre në kategorinë e mbrojtjes së posaçme për këtë grupmoshë.
Këto masa përfshijnë kufizimin e personave që mund t’i kontaktojnë, kontrollin e përmbajtjes që u shfaqet dhe kufizime në kohën e përdorimit të aplikacioneve, raporton AlJazeera.
Meta ka parashikuar disa masa për të rritur sigurinë e përdoruesve të rinj. Ndër to përfshihen kujtesat për të ndërprerë përdorimin e Instagramit pas 60 minutash, heshtja e njoftimeve gjatë natës dhe kufizimi i kohës ditore të përdorimit.
Gjithashtu, llogaritë e adoleshentëve do të kenë kufizime për përmbajtje të caktuara dhe funksione që mund të nxisin krahasimin social, si pëlqimet dhe reagimet ndaj postimeve të përdoruesve të tjerë.
Në kuadër të masave të reja, prindërit do të mund të marrin njoftime për aktivitetin e fëmijëve të tyre në platformë. Ata gjithashtu do të informohen kur adoleshentët komunikojnë për herë të parë me një të rritur.
Vendimi vjen në një kohë kur Meta po përballet me kritika dhe procese të shumta gjyqësore lidhur me ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët.
Ekspertët e zhvillimit të fëmijëve kanë ngritur shqetësime për përdorimin e tepërt të platformave, presionin social dhe ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjeve të dëmshme.
Ndërkohë, Meta u ka bërë thirrje edhe kompanive të tjera të teknologjisë, përfshirë TikTok dhe YouTube, të zbatojnë masa të ngjashme për identifikimin dhe mbrojtjen e adoleshentëve.
Top Channel