Aleksandër Biberaj, në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar protestën e studentëve dhe pedagogëve, duke e cilësuar atë si një lëvizje me një unitet të veçantë mes dy komuniteteve.

Biberaj deklaroi se ka mbështetur protestën dhe vendimin e studentëve për t’u rikthyer në auditorë, duke theksuar se kërkesat e tyre janë të drejta dhe kanë mbështetje akademike.

Sipas tij, përtej kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, protesta shpreh edhe nevojën për një riformatim të klasës politike shqiptare.

Ai u ndal te organizimi i studentëve në nivel fakultetesh dhe universitetesh, duke ngritur mundësinë e krijimit të një lëvizjeje apo force të re politike.

Më tej, ai deklaroi se studentët duhet të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke pasur kandidatë për kryetarë bashkish dhe këshilla bashkiakë, nëse nuk do të ketë zhvillime që çojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Vendimi për kthimin në auditor është I tyre. Kemi përkrahur studentët për protestën dhe rikthimin në auditore. Kjo është protesta që ka një unitet student pedagog që nuk e kemi parë herë të tjera dhe në këtë protestë kemi vetëm një kërkesë që kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë së tij por thellë-thellë kërkohet një riformatim i klasës politike shqiptare. Kërkesat e studentëve janë të drejta dhe kanë një përkrahje 100 % akademike.

Studentët po organizohen në nivel fakultetesh Universitetesh dhe besoj do krijojnë një bashkësi, me idenë e krijimit të një lëvizje politike, të një force politike sepse përndryshe nuk mund të jepet kontributi, për ndryshimin e realitetit në Shqipëri. Uroj që të bëhen gati për zgjedhjet lokale e të kenë kandidatë për kryetar bashkish e këshilla bashkiake nëse nuk do kemi zhvillime të karakterit makro që të largohet kryeministri dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Të gjithë skenarët janë në tryezë. Studentët janë të qartë në lëvizjen e tyre dhe janë të bindur që ta çojnë deri në fund”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb