Tronditi Amerikën me vrasjen e tre fëmijëve, gjykatësi refuzon kërkesën e nënës për pushimin e çështjes Qeveria greke ka reaguar lidhur me polemikat për projektin e ndërlidhjes elektrike mes Greqisë dhe Qipros, duke hedhur poshtë pretendimet se për realizimin e tij është kërkuar apo marrë leje nga Turqia.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, gjatë një interviste për televizionin publik ERT, sqaroi se procedurat për projektin janë zhvilluar përmes autoriteteve greke dhe qipriote, në përputhje me rregullat dhe të drejtën ndërkombëtare.
Duke iu referuar notës diplomatike të Francës, Marinakis theksoi se ajo nuk përbën autorizim dhe nuk sjell asnjë pasojë juridike që mund të interpretohet si njohje e të drejtave sovrane të një shteti tjetë, raporton Protothema.
“Nota diplomatike është forma më e butë e komunikimit të mesazheve mes shteteve. Ajo nuk prodhon asnjë efekt juridik dhe në asnjë mënyrë nuk përbën leje”, deklaroi Marinakis.
Ai konfirmoi gjithashtu se pala greke ishte në dijeni të komunikimit diplomatik francez, duke shpjeguar se Franca ka interes të drejtpërdrejtë në projekt, pasi në të janë përfshirë dy kompani franceze. Sipas tij, edhe shtete të tjera të rajonit janë informuar për zhvillimet, por kjo nuk nënkupton se atyre u është kërkuar miratim për realizimin e projektit.
“Nuk është kërkuar dhe as do të kërkohej asnjë leje apo procedurë autorizimi nga ndonjë shtet tjetër, përveç Greqisë dhe Qipros”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë greke.
Duke folur për rëndësinë strategjike të projektit, Marinakis nënvizoi se ndërlidhja elektrike Greqi-Qipro është një infrastrukturë me rëndësi evropiane, që synon t’i japë fund izolimit energjetik të ishullit.
Ai kujtoi se Qiproja është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Evropian që nuk ka aktualisht një ndërlidhje elektrike me vendet e tjera të unionit. Sipas tij, projekti do të vijojë sipas planifikimit, ndërsa ministria e Jashtme dhe institucionet përkatëse po ndjekin nga afër zhvillimet. Marinakis theksoi se Greqia nuk do të bëjë kompromis për çështjet e sovranitetit, por njëkohësisht do të synojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Greqia duhet ta çojë përpara këtë projekt në një mënyrë që garanton ruajtjen e paqes në rajon, pa asnjë tërheqje”, deklaroi ai.
Në përfundim, zëdhënësi i qeverisë greke hodhi poshtë interpretimet se komunikimi diplomatik i Francës përbën një formë autorizimi nga Turqia, duke garantuar se projekti i ndërlidhjes elektrike mes Greqisë dhe Qipros do të vijojë pa vënë në diskutim të drejtat sovrane të dy vendeve.
Top Channel