Gazetari investigativ shqiptar, Artan Hoxha, ka deklaruar se SPAK-u pritet të kërkojë në ditët në vijim masën e arrestit me burg për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.

I ftuar në emisionin “Top Story”, me Grida Dumën, Hoxha ka zbuluar detaje nga dosja hetimore, duke pretenduar se përveç përfshirjes së dyshuar në favorizimin e biznesmenit Ergys Agasi, Hyseni dyshohet edhe për përfshirje në pastrimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme nga AKSHI.


Sipas Hoxhës, në dosje përmenden dy pagesa prej 250 mijë eurosh, të cilat janë transferuar, si dhe një pagesë tjetër prej 450 mijë eurosh që është anuluar.

Ai ka thënë se paratë janë transferuar drejt një kompanie gjermane, ku ishte punësuar vëllai i Vlora Hysenit.

Sipas pretendimeve të gazetarit, kompania shqiptare Fortis Beton kishte arsyetuar pagesat me shërbime të një studioje arkitekture, e cila do të hartonte projektin për ndërtimin e një qendre tregtare.

Hoxha ka theksuar se në dosje përmendet edhe roli i Ergys Agasit, i cili, sipas tij, kishte orientuar kompaninë gjermane për realizimin e projektit.

Megjithatë, gazetari ka bërë dallimin mes pretendimeve që përmban dosja dhe provave që duhet të paraqiten gjatë procedurës hetimore dhe gjyqësore.

“Ne jemi te narrativa e akuzës, nuk i dimë ende provat. Aty ka informacione se ka afera më të mëdha, thjesht problem mbetet prova”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka pretenduar gjithashtu se dëmi në SHISH lidhet me prishjen e strukturës tradicionale të shërbimit sekret shqiptar, ndërsa ka kritikuar publikimin e vendimit gjyqësor që përmbante informacione të klasifikuara.

Sipas gazetarit, rasti ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si Hyseni dhe Agasi janë njohur dhe kanë krijuar lidhje, duke thënë se të dy kanë punuar në Kryeministri.

Hoxha ka përmendur edhe kryeministrin Edi Rama në kontekstin e emërimeve të tyre në pozitat përkatëse.

Ndërkohë, gazetari ka vlerësuar se dosja mund të jetë shumë më e gjerë nga sa është bërë publike deri më tani, duke e cilësuar informacionin e zbuluar si “majën e ajsbergut”.