Reforma zgjedhore dhe mundësia që qytetarët të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre u bënë pjesë e debatit në emisionin “Top Story”. Analisti Arian Curri solli në vëmendje lidhjen mes politikës, financimit të fushatave dhe interesave ekonomike, duke krahasuar mënyrën se si funksionojnë mekanizmat e ndikimit në Shtetet e Bashkuara me realitetin politik në Shqipëri.
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo që ne i themi korrupsion, quhet lobizëm. Shikoni se kush mbledh më shumë para gjatë fushatës, fiton”, u shpreh Curri. Duke iu referuar situatës në vend, analisti argumentoi se bizneset e mëdha nuk kanë domosdoshmërisht arsye të shqetësohen për rezultatin e zgjedhjeve, pasi interesat e tyre ekonomike mund të vijojnë të garantohen nga pushteti.
“Ata s’e kanë problem se kush fiton, se prapë do marrin tendera”, deklaroi ai. I pyetur nga Grida Duma nëse sheh ndonjë lëvizje konkrete në qëndrimet e partive politike për reformën zgjedhore, Curri shprehu skepticizëm për vullnetin e tyre për të ndryshuar sistemin.
Sipas tij, palët mund të përdorin njëra-tjetrën si argument për të shmangur përgjegjësinë, ndërsa mazhoranca mund të gjejë arsye për të mos e çuar deri në fund ndryshimin e kërkuar. “Shikoj që të dyja partitë do thonë: nuk do tjetra. PS thotë ua jap 100 për qind, na duhen 101 deputetë. Do gjejnë justifikim”, u shpreh analisti.
Në përfundim, Curri e zhvendosi vëmendjen te roli i qytetarëve, duke ngritur si çështje kryesore mundësinë që votuesit të imponojnë një ndryshim në klasën politike shqiptare. “Pikëpyetja është se populli ynë demokratik a do e ketë fuqinë ta përmbysë këtë klasë politike. Unë shpresoj se do ndodhë kjo”, përfundoi Curri.
