Një klub i themeluar vetëm para tre vjetësh po mbledh ish-yjet e Ligës Premier

Me një total prej 713 paraqitjesh në Ligën Premier, katër emra të njohur të futbollit anglez janë përfshirë në një projekt interesant te klubi Arabian Falcons në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Jonjo Shelvey, ish-mesfushori i Liverpoolit, Newcastle Unitedit dhe Swansea Cityt, njoftoi pensionimin nga futbolli profesionist në prill të këtij viti, për t’u marrë më pas me drejtimin e klubit Arabian Falcons, me seli në Dubai.
Ish-futbollisti 34-vjeçar shprehu dëshirën për të “ndërtuar diçka të veçantë” te klubi.
“Ambicia ime është të arrij majat e menaxhimit dhe ky është projekti i përsosur për ta dëshmuar veten”, ka thënë ai.

Arabian Falcons u themelua në vitin 2023 me synimin për të zhvilluar futbollistë të rinj dhe për t’u ndihmuar atyre të sigurojnë mundësi për të luajtur në Evropë.
Klubi arriti të ngjitej në Divizionin e Dytë të Emirateve të Bashkuara Arabe, që përbën nivelin e tretë të futbollit në vend, që në sezonin e tij debutues. Ky sukses erdhi pjesërisht falë drejtorit sportiv ambicioz, Harry Agombar.
Agombar, ish-futbollist i akademive të Arsenalit dhe Tottenhamit, fillimisht ishte trajner i ekipit, përpara se të merrte një rol më të lartë drejtues.
“Jam shumë i përfshirë në klub, duke pasur parasysh gjithçka që kam bërë gjatë tre viteve të fundit. Dubai është një qytet i jashtëzakonshëm dhe mendoj se ajo që i tërhoqi më shumë futbollistët më të vjetër, të cilët po i jepnin fund karrierës, ishte stili i jetesës dhe bukuria e qytetit”, deklaroi ai për City AM.

Atmosfera në stadiumet e këtij klubi është krejtësisht ndryshe nga ajo që shohim çdo javë në elitën e futbollit anglez. Në fakt, Shelvey kishte deklaruar vitin e kaluar se një ndeshje e Divizionit të Dytë të Emirateve të Bashkuara Arabe ndiqej nga rreth 75 tifozë.
Megjithatë, klubi ka arritur të afrojë disa emra të njohur, përfshirë ish-kampionin e Ligës Premier me Leicester Cityn, Danny Simpson, i cili së fundmi shënoi dy gola në një ndeshje kundër ekipit B të Gulf United.
Pjesë e këtij projekti është edhe Ravel Morrison, i cili iu bashkua klubit në vitin 2025. I konsideruar dikur si një nga talentet më të mëdha të akademisë së Manchester Unitedit, 33-vjeçari është emëruar kapiten nga Shelvey.
Ndërkohë, ish-mesfushori i Southamptonit dhe Crystal Palace, Jason Puncheon, është bashkëpronar i klubit dhe njëkohësisht drejton operacionet futbollistike të Arabian Falcons./Telegrafi/










































