Bota

Gjendet regjistruesi i zërit në kabinën e avionit që u rrëzua në Florida!

Hetuesit amerikanë gjetën regjistruesin e zërit në kabinën e pilotëve të avionit privat Learjet 60, që u rrëzua më 1 nëntor në Florida, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave në bord.

Bëhet fjalë për një pajisje të rëndësishme për hetimin, pasi mund të ndihmojë në rindërtimin e bisedave mes pilotëve dhe të zbardhë se çfarë ndodhi në momentet e fundit të fluturimit, kur avioni u përball me turbulenca të forta dhe formimin e akullit në krahë.

Sipas Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB), regjistruesi u gjet në vendin e goditjes fillestare të avionit, në zonën e Greenacres, në Palm Beach County. Pajisja është transportuar në laboratorin e NTSB-së në Uashington, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve për të përcaktuar nëse të dhënat janë ruajtur dhe nëse mund të rikuperohen.

Nuk dihet ende nëse regjistruesi është dëmtuar nga përplasja. Megjithatë, eksperti i sigurisë së aviacionit, Jeff Guzzetti, i tha Associated Press se pamja e pajisjes në fotografitë e publikuara nga hetuesit sugjeron se ajo mund të jetë në gjendje relativisht të mirë.

Është shumë e mundshme që informacioni në regjistrues të ketë mbijetuar. Nëse mund ta rikuperojnë dhe ai i përket fluturimit të aksidentit, do të jetë një ndihmë e madhe për hetuesit.

Regjistruesi i zërit në kabinën e pilotëve (CVR) ruan komunikimet dhe tingujt brenda kabinës, duke u dhënë hetuesve mundësinë të kuptojnë reagimet e ekuipazhit dhe vendimet e marra gjatë fluturimit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.